Furnizimi me ujë, 4.3 mln euro për përmirësimin e sistemit dhe dublimin e puseve

Disa njësi administrative që marrin shërbim nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Lushnje SH.A pritet të kenë përmirësim sa i takon furnizimit me ujë. Në një procedurë të çelur këtë javë, kjo ndërmarrje me një fond limit 424 milionë lekë synon që të kryejë disa ndërhyrje.Kontrata me objekt “Stacioni i ri i pompave në Gajde, dublim pusi, depo e re dhe plotësimin e linjave të dërgimit për njësitë Fiershegan, Allkaj, (Çukas, Toshkëz) Krutje (Fier i Ri), Bubullimë (Imsht)” përfshin një listë objektesh të shpërndara në një hapësirë të konsiderueshme duke përfshirë disa fshatra të Njësisë Administrative Gajde.Sipas dokumenteve, qëllimi i projektit të propozuar është që të sigurojë furnizim të sigurt me ujë, higjienikisht të pastër, me mbulimin e kostos dhe tarifat e pranueshme shoqërisht për zonat e përzgjedhura në zonën e studimit.“Ky furnizim përfshin: stacionet e pompimit, linjën e transmetimit, rrjetin e shpërndarjes dhe lidhjet e shtëpive për zonat e përzgjedhura. Rezultatet e pritura të këtij projekti mund të përmblidhen si më poshtë: Lidhja 100% e popullsisë së fshatit me ujë të pijshëm të sigurt. Furnizimi me ujë të pijshëm të sigurt sipas standardeve, parashikuar për 20-25 vite.Projektimi i rrjetit shpërndarës për të siguruar ujë në lidhjet e konsumatorëve me presion minimal prej 2 bar dhe maksimal 6.0 bar, me ujë me cilësi sipas Standardeve Shqiptare dhe udhëzimeve të BE-së. Sigurimi i një skeme të projektuar për operim me efikasitet të lartë me pompa të reja; Eliminimi i puseve private dhe elektropompave për rastet kur është e mundur dhe shtimi i zonave të reja të furnizimit me ujë; Skemat e furnizimit me ujë në fshatrat e synuara funksionojnë dhe mirëmbahen siç duhet. Investimet e nevojshme në fshatrat e projektit për arritjen e objektivave të projektit janë identifikuar gjatë fazës së mëparshme të fizibilitetit” thuhet në dokumente.Ndërmarrja sqaron se gjendja aktuale e rrjetit të furnizimit është e amortizuar dhe e ndërtuar para shumë vitesh, rreth 20-25 viteve më parë. Në pjesën më të madhe të fshatrave, furnizimi me ujë bëhet me puse të shpuara në mënyrë lokale për disa shtëpi ose në mënyrë private nga vetë banorët e zonës për çdo shtëpi. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.