Nga Julia Vrapi
“Tirana European Youth Film Festival” ka në qendër të tij programin e konkurrimit me filmat europianë. Filma shqiptarë dhe të huaj janë pjesë e këtij festivali, që nis nesër në mbrëmje në Tiranë, por në juri vjen dhe aktori i njohur Nik Xhelilaj. Filmat artistikë që janë në konkurrim pasqyrojnë diversitetin, krijimtarinë dhe shqetësimet e një gjenerate të re evropiane, ku çdo shfaqje e tyre do të pasohet nga një bisedë me publikun. I krijuar nga të rinjtë për regjisorët e rinj, TEYFF sipas organizatorëve është shndërruar në një platformë dinamike për zëra të rinj, vizione të guximshme dhe histori të paharrueshme. “Tashmë në edicionin e tretë, TEYFF rikonfirmon misionin e tij për të hapur një dritare drejt kinemasë europiane, filma që rrallëherë mbërrijnë në ekranet shqiptare, dhe për të lidhur brezin e ardhshëm të kineastëve me audienca të reja. Tirana European Youth Film Festival është më shumë se një festival. Është energji, është zbulim, është e ardhmja e kinemasë europiane, pikërisht këtu në Tiranë”, thuhet në njoftimin e festivalit që vijon deri më 10 shtator. Regjisori dhe skenaristi italian Edgardo Pistone, regjisorja dhe bashkëthemeluese e TEYFF Elkjana Gjipali, aktori shqiptar me karrierë ndërkombëtare Nik Xhelilaj, dhe botuesja Arlinda Dudaj do të ndajnë këtë vit çmimet e festivalit. Në qendër të festivalit “Tirana European Youth Film Festival” që nis më 5 shtator dhe vijon deri më datë 10 këtë muaj është programi me filmat europianë në konkurrim, i cili këtë vit prezanton tetë filma debutues ose të dytë me metrazh të gjatë nga shtete si: Turqia, Gjermania, Italia, Kosova, Polonia, Mali i Zi, Suedia dhe Bullgaria. Në njoftim rreth TEYFF bëhet me dije se filmat artistikë përmbajnë tema që variojnë nga pasojat e luftës të rrëfyera përmes një komedie të errët, te historitë intime të mëmësisë dhe dashurisë, e deri te satirat e mprehta mbi traditat ballkanike. Ata gjithashtu prekin çështje si mungesa e figurës atësore, korrupsioni në polici, apo dhe ngritja e talenteve të rinj muzikorë.
Filmat jashtë konkurrimit dhe një bisedë me Timo Fllokon në festival
Filmat “Unë e dua erën” (1991) me regji nga Albert Minga, “Yllka” (2003) nga Ylli Pepo, si dhe “Përtej Rrugës” (2009) të regjisorit kosovar Yll Çitaku janë në programin e filmave jashtë konkurrimit këtë vit. Por nata e fundit e TEYFF sjell shfaqjen e filmit shqiptar të restauruar “Vdekja e Kalit” (1992) me regji nga Saimir Kumbaro, pas të cilit do të ketë një takim dhe bisedë me protagonistin e tij, aktorin e mirënjohur Timo Flloko. Shfaqjet e filmave do të jenë në Qendrën e Artit Agimi në Tiranë, shtëpia e festivalit, si dhe në Open Air Tirana, një hapësirë e dedikuar filmave jashtë konkurrimit. Slogani i këtij edicioni, “Çdo kineast e mban mënd herën e tij të parë në Tiranë”, sipas organizatorëve të festivalit përmbledh ambicien e dyfishtë të TEYFF: të promovojë regjisorët e rinj europianë dhe të pozicionojë Tiranën si një qytet jo vetëm kulturor, por edhe si një lokacion për filmat e tyre.
Çmimet e festivalit dhe aktivitete të tjera
Çmimet që do të ndahen këtë vit janë: Filmi më i mirë, Regjisori më i mirë, Skenari më i mirë dhe Kinematografia më e mirë në ceremoninë e mbylljes; ndërsa publiku do të zgjedhë fituesin e Audience Award. Ndër aktivitetet gjatë festivalit, “The Film Industry Wants You!” i drejtuar nga Jonid Jorgji (Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike në Shqipëri) dhe producentët Dionis Papadhimitri dhe Ols Abazi, do t’i prezantojë të rinjtë dhe të apasionuarit shqiptarë pas kinemasë me profesionet shpesh të nënvlerësuara që mbajnë në këmbë prodhimin filmik. Në njoftimin për edicionin e tretë të TEYFF thuhet se festivali i drejtuar nga Malda Lika, mbështetet ndjeshëm tek ekipi i vullnetarëve, të cilët jo vetëm që mbështesin shtyllën organizative të festivalit, por gjithashtu inkurajohen të kontribuojnë me ide dhe të angazhohen drejtpërdrejt. “Prezantojnë filma, realizojnë video, ndihmojnë në projeksion, logjistikë, etj”, thuhet në materialin e festivalit. Këtë edicion festivali për zhvillimin e tij mbështetet nga Agjencia e Industrisë Kreative, Bashkia Tiranë, Qendra e Artit Agimi, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit, disa ambasada të huaja në vendin tonë, Instituti Italian i Kulturës, etj. Edhe në edicionin e dytë një vit më parë ky festival solli sërish artin e kinemasë evropiane në Tiranë, nga vende si Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Kosova, Serbia, Shqipëria dhe Portugalia.
“Tirana European Youth Film Festival”, filmat pasqyrojnë krijimtarinë dhe shqetësimet e një gjenerate të re evropiane
