Rama: Ndërmarrjet e Ujësjellësit janë të mbushur me punonjës parazitë, janë futur nga politika

Kryeministri Edi Rama ka goditur ashpër mënyrën se si janë menaxhuar ndër vite ndërmarrjet e ujësjellësit në Shqipëri, duke i cilësuar ato të mbushura me “punonjës parazitë” të futur përmes lidhjeve familjare dhe politike.
Rama Ndërmarrjet e ujësjellësit të mbushura me punonjës parazitë, janë futur nga politika
Gjatë një deklarate publike, Rama theksoi se një nga problemet kryesore të furnizimit me ujë në vend është niveli i ulët i burimeve njerëzore në këto shoqëri. Ai nënvizoi se shumë punonjës nuk kanë lidhje me aftësitë profesionale, por janë vendosur aty si rezultat i krushqisë, politikës apo miqësive lokale.
“Drejtuesit e shoqërive e kanë parë me sytë e tyre se me sa pak forca të përgatitura bëjnë punën dhe se sa forca parazite ka nëpër ndërmarrje që janë aty si rezultat i krushqisë, i politikës, i fqinjësisë së mirë në rrugën e fshatit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se Operatori Kombëtar i Ujit do të funksionojë mbi bazën e meritës dhe do të shkëputet përfundimisht nga ndikimet politike dhe nepotike, ashtu siç ndodhi më herët me OSHEE.
Ai kujtoi se tashmë OSHEE nuk është më nën kontrollin e partive politike, por drejtohet mbi standardet e një korporate, duke arritur rezultate konkrete.
“Nuk bën vaki që drejtuesit e OSHEE t’i vendosë partia, të lëvizin lart e poshtë se do partia. Është epokë e mbyllur. OSHEE është një ndërmarrje që funksionon me rregullat e një korporate që ka rezultate”, theksoi Rama.
Sipas tij, e njëjta qasje do të ndiqet edhe për ndërmarrjet e ujësjellësit, në mënyrë që furnizimi me ujë të mos jetë më peng i punësimeve abuzive dhe i interesave partiake.