I shiti dozën vdekjeprurëse Matthew Perry, “mbretëresha e ketaminës” pranon fajësinë

“Mbretëresha e ketaminës” ka pranuar fajësinë për shitjen e drogës kundrejt Matthew Perry duke i shkaktuar vdekjen.
Jasveen Sangha pranoi fajësinë për pesë akuza federale, shkruan Associated Press. Gjyqi i saj ishte planifikuar të niste më vonë gjatë këtij muaji. Ajo është e pandehura e pestë dhe e fundit që akuzohet për mbidozën vdekjeprurëse të Perry dhe që pranon fajin.
Nëna dhe njerku i aktorit të ndjerë, gjendeshin në sallën e gjyqit. Sangha u pyet nëse e dinte që droga që po i jepte të pandehurit tjetër dhe njëkohësisht ndërmjetësit, Erik Fleming, ishin për Perry.
“Nuk kishte asnjë mënyrë që ta dija 100%”, tha ajo. Më vonë, për një pyetje të ngjashme për provëzat me ketaminë që i jepte Fleming, shtoi se “nuk e dija nëse të gjitha apo disa” ishin për Perry. Përgjigjet e saj nuk cenuan marrëveshjen e fajësisë.
Sangha e firmosi marrëveshjen më 18 gusht ku pranonte një akuzë për ruajtjen e marrëdhënieve ku përfshihet droga, tre për shpërndarjen e ketaminës dhe një për shpërndarje të drogës duke çuar drejt vdekjes.
Prokurorët ranë dakord që të rrëzonin tre akuza të tjera lidhur me shpërndarjen e ketaminës dhe një për të metamfetaminës, e cila nuk ishte e lidhur me çështjen e Perry.
Sangha do të dënohet më 10 dhjetor. Ajo rrezikon deri në 65 vite burg. Gjykatësi nuk ka detyrim të ndjekë kushtet e marrëveshjes, por prokurorët janë shprehur në dokument se do të kërkojnë më pak sesa maksimumi. Asnjë nga të pandehurit e tjerë nuk është dënuar ende.
Matthew Perry u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Anxheles. Eksperti mjeko-ligjor përcaktoi se ketamina, e cila zakonisht përdoret si anestezik kirurgjikal, ishte shkaku kryesor i vdekjes së aktorit.
Sangha paraqiste një jetë luksoze në Instagram, duke ndarë foto me njerëz të pasur e të njohur. Prokurorët thanë se ajo e prezantonte veten si një shitëse droge që ua shiste të njëjtin lloj klientëve të pasur.
Perry e përdorte ketaminën si trajtim për depresionin, pasi ia kishte rekomanduar mjeku i tij. 54-vjeçari kërkoi një dozë më të lartë nga sa ai mund t’i jepte dhe kjo e çoi në duart e Sangha, përmes shokut të tij, Fleming, rreth dy javë para vdekjes.
Fleming i shkroi asistentit të aktorit se ketamina e saj ishte “fantastike” dhe se ajo u shet vetëm “klientëve të pasur dhe të famshmëve”.
Perry bleu një sasi të madhe, 25 provëza për 6 mijë dollarë, katër ditë para vdekjes. Ditën që ai u gjet i vdekur, Sangha i tha Fleming se ata duhet të fshinin të gjitha mesazhet që kishin shkëmbyer.