Zbehet shpresa për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit në Afganistan që vrau më shumë se 1,400 persona

Shpresa për të gjetur të mbijetuar në rrënojat e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti i fuqishëm në Afganistanin lindor gjatë fundjavës po shuhet.

Një tërmet me magnitudë 6 goditi Afganistanin lindor të dielën, duke i lënë banorët në qiell të hapur nga frika e lëkundjeve të fuqishme pasuese.
Tërmeti ka vrarë të paktën 1,411 persona dhe ka plagosur 3,124 të tjerë, thanë autoritetet talebane në pushtet, duke e bërë atë një nga më vdekjeprurësit në dekada.

Shumica dërrmuese e viktimave ishin në provincën Kunar, dhe gjithashtu në provincat e afërta Nangarhar dhe Laghman.
E mbijetuara Gul Bibi, 80 vjeç, e cila jeton në fshatin malor Mazar Dara, një nga vendet më të goditura, i tha agjencisë së lajmeve Reuters: “Humba gjithçka”, duke shtuar se familja e saj ishte varrosur nën baltën dhe rrënojat e shtëpisë së tyre.
Rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga tërmeti kanë penguar qasjen në fshatrat tashmë të izoluara.
Grupi humanitar Save the Children tha se një nga ekipet e tij të ndihmës “u desh të ecte për 20 km për të arritur në fshatrat e izoluara.
Fshatra të tëra janë ‘shkatërruar plotësisht’
“Shumë njerëz në këto fshatra jetojnë në shtëpi prej balte”, tha Assed Baig gazetar i Al Jazeera-s, duke shtuar se më shumë se 8,000 shtëpi janë shkatërruar.
Fshatra të tëra janë “shkatërruar plotësisht dhe disa njerëz kanë humbur familje të tëra”, tha Baig.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se numri i viktimave nga tërmeti ka të ngjarë të rritet, “pasi shumë njerëz mbeten të bllokuar në ndërtesat e shkatërruara”.
Brenda dy ditësh, Ministria e Mbrojtjes e qeverisë talebane tha se organizoi 155 fluturime me helikopter për të evakuuar rreth 2,000 të plagosur dhe të afërmit e tyre në spitalet rajonale./vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *