Sektori bankar shqiptar po konsolidon më tej praktikën e dhënies së kredive sindikale (të përbashkëta).Një grup (sindikatë) bankash tregtare, i përbërë nga Tirana Bank, Banka OTP Albania, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Union Bank kanë rënë dakord të japin një kredi në shumën e 20 milionë eurove për kompaninë SPV Blue 2. Kredia ka qëllim të financojë investimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik në Sheq-Marinas të Fierit.SPV Blue 2 është një kompani që ka si objekt kryesor të aktivitetit projektin e mësipërm. Ajo zotërohet nga kompanitë Blessed Investment dhe Matrix Konstruksion, ndërmarrje përkatësisht në pronësi të biznesmenëve Besnik Leskaj dhe Arian Leskaj.SPV Blue 2 ka marrë gjatë muajit gusht edhe miratimin e Entit Rregullator të Energjisë për vendosjen e barrës siguruese mbi aksionet në favor të bankave huadhënëse.Kreditë sindikale janë një instrument që po gjejnë përdorim të zgjeruar nga bankat tregtare shqiptare në vitet e fundit. Ato përdoren nga bankat si një zgjidhje për të ndarë rrezikun dhe për të financuar projekte të mëdha që, përndryshe, një bankë e vetme lokale nuk do të mund t’i financonte.Vitin e kaluar, katër banka tregtare shqiptare i dhanë kompanisë Ayen AS Energji kredinë më të madhe sindikale në historinë e sektorit bankar shqiptar. Raiffeisen Bank (banka udhëheqëse e sindikatës), Banka OTP Albania, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Tirana Bank disbursuan një kredi në vlerën e 110 milionë eurove në favor të kompanisë koncesionare të sektorit energjetik. Qëllimi i kredisë dishte rifinancimi i një kredie ekzistuese që kompania në fjalë kishte marrë nga banka turke Türkiye İş Bankasi (İş Bank).Në raste të tjera, kreditë sindikale janë shfrytëzuar kryesisht për financimin e projekteve të të partneritetit-publik privat në infrastrukturën rrugore.Në vitin 2023, Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank miratuan një linjë kredie të përbashkët shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.Kredia kishte fillimisht vlerën e 26 milion eurove, ndërsa në vazhdim palët nënshkruan edhe shtesa të tjera në kontratën e huasë.Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan një kredi të përbashkët prej 26 milion eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”.Në raste të tjera, financimi i PPP-ve është marrë përsipër nga një bankë e vetme.Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua deri në vlerën maksimale 9.5 miliardë lekë te kompania “Gjoka 87”, kompania që po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit përmes një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare.Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milion euro te “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.Në vitin 2024, BKT ka financuar, gjithashtu, me një hua prej afërsisht 36 milionë eurosh kompaninë Vlora International Airport (VIA), me qëllim ndërtimin e aeroportit të Vlorës, sipas marrëveshjes që subjekti koncesionar ka nënshkruar me qeverinë shqiptare.Në muajin korrik të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime rregullatore, që lehtësojnë dhënien e kredive nga bankat tregtare për projektet strategjike në infrastrukturë.Bankat do të ponderojnë ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, me peshën e rrezikut 50% (më parë këto kredi ponderoheshin me peshë rreziku 100%), nëse plotësohen kushtet e parashikuara në rregullore.Një veprim i tillë e bën më pak të kushtueshme dhënien e kredive të këtij lloji në terma të kapitalizimit dhe zgjeron hapësirat e bankave për të financuar projekte të këtij lloji./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Bankat po konsolidojnë praktikën e kredive sindikale, 20 mln euro për centralin fotovoltaik në Fier
