Komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” pas skenës së Teatrit Kombëtar në “Koko Fest”

Nga Julia Vrapi
“Vendi më i humbur në Shqipëri”,  një komedi që përmes lojës së aktorëve përcjell edhe mesazhe për publikun do të ngjitet në skenën e teatrit të Korçës. Pas skenës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, komedia e shkruar nga Jean Pierre Martinez dhe me regji nga Andia Xhunga këtë mbrëmje do të shfaqet në festivalin “Koko Fest”, që ka nisur në qytetin e Korçës. Komedia që është produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu”  më parë u shfaq premierë në amfiteatrin antik në Durrës dhe vijoi edhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë, ku u mirëprit nga publiku. Një fshat i harruar rrezikon të fshihet nga harta!
Banorët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që fshati të jetojë, por ngjarjet marrin një rrjedhë të papritur dhe të pazakontë, kur në fshat vjen një gazetare e famshme. A do munden dot banorët, ta shndërrojnë vendin më të humbur të Shqipërisë, në atraksionin turistik më të vizituar? Një vepër që është e përkthyer nga Anxhela Çikopano dhe rolet luhen nga aktorët Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Alex Seitaj, Ervin Doko, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Amos Zaharia, Xheini Fama dhe Jaho Guma.
Skenografe e kostumografe Alketa Tragaj dhe muzika mban emrin e kompozitorit Endri Sina. Prej 17 vitesh Andia Xhunga është aktore dhe regjisore e teatrit “Aleksandër Moisiu” me shfaqje që janë mirëpritur nga publiku si “Andi, Norman dhe Sofi”, “Dashuri me çdo kusht’, “3 femra, 3 divorce dhe 1 shtëpi”, “Gratë e Kazanovës”, “10 vjet martesë”, “Edmond”, “Familja Tot”, etj. Jean Pierre Martinez është një dramaturg francez me prejardhje spanjolle. Përmes 114 veprave teatrale që ka shkruar deri më sot, Jean Pierre Martinez thur një univers të veçantë dhe bindës. Duke përdorur me mjeshtëri të gjitha mjetet e komedisë, ai eksploron një gamë të gjerë zhanresh.
Një festival për komedinë
Festivali ndërkombëtar i komedisë “Korça Komedi Festival” këtë vit shënon edicionin e tij të 12-të dhe është një festival garues, ku në fund të tij ndahen edhe çmimet ashtu si dhe edicionet më parë. Këtë edicion në skenë vijnë komedi, që do të interpretohen nga aktorë të njohur, por dhe të rinj në role. Festivali mbrëmjen e datës 31 gusht në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës u hap me komedinë “Një martesë, një divorc, një funeral” me regji nga Rovena Lule teatri “A. Z. Çajupi” për të vijuar dhe me të tjera shfaqje deri më datë 6 shtator. Vepra të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj janë këtë vit pjesë e festivalit, ku për publikun do të shfaqen komedi që janë produksione të teatrit në Shqipëri, Kosovë dhe Itali. Festivali ndërkombëtar i komedisë “Korça Komedi Festival” (Koko Fest), i cili zhvillohet prej vitesh në këtë qytet ka sjellë për publikun një sërë shfaqjesh, e mes tyre nuk kanë munguar dhe premierat teatrore. Festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” në Korçë një vit më parë shënoi edicionin e tij të 11-të.