Huamarrësit sovranë po i drejtohen normave më të ulëta të interesit në monedha si renminbi kinez dhe franga zviceraneVendet në zhvillim po largohen nga borxhet në dollarë dhe po i drejtohen monedhave me norma interesi shumë të ulëta, si renminbi kinez dhe franga zvicerane.Ky ndryshim, i ndërmarrë nga vende të mbingarkuara me borxhe si Kenia, Sri Lanka dhe Panamaja, pasqyron normat e larta të vendosura nga Rezerva Federale e SHBA-së, të cilat jo vetëm kanë zemëruar presidentin Donald Trump, por edhe kanë rritur kostot e shërbimit të borxhit për vendet e tjera.“Normat e larta të interesit dhe kurba e pjerrët e yield-it të bonove të thesarit të SHBA-së e kanë bërë financimin në dollarë më të rëndë për vendet në zhvillim, edhe me diferenca relativisht të ulëta mbi borxhin e tregjeve në zhvillim,” tha Armando Armenta, zëvendëspresident për kërkime ekonomike globale në AllianceBernstein.“Si rezultat, ato po kërkojnë opsione më me kosto efektive.”Por ai i përshkroi shumë nga këto zhvendosje drejt financimit më të lirë, jo në dollarë, si “masa të përkohshme” nga vende që duhet të “fokusohet në uljen e nevojave të tyre për financim”.Një kalim te huamarrja në renminbi, që vjen teksa monedha kineze ka arritur nivelin më të lartë kundrejt dollarit këtë vit, është gjithashtu pasojë e programit të zhvillimit “Belt and Road” prej 1.3 trilionë dollarësh të Pekinit, i cili u ka dhënë qeverive në mbarë botën qindra miliarda dollarë për projekte infrastrukturore.Edhe pse shifrat e përgjithshme për huamarrjen e re në renminbi nuk janë gjerësisht të disponueshme, pasi Pekini negocion në mënyrë bilaterale me qeveri të tjera, Kenia dhe Sri Lanka po kërkojnë të konvertojnë huatë e tyre të rëndësishme në dollarë në këtë monedhë.Departamenti i Thesarit i Kenias tha në gusht se ishte në bisedime me China ExIm Bank, kreditorin më të madh të vendit, për të kaluar në shlyerje në renminbi të huave në dollarë për një projekt hekurudhor prej 5 miliardë dollarësh që rëndon buxhetin e saj.Presidenti i Sri Lankës gjithashtu i tha parlamentit muajin e kaluar se qeveria e tij po kërkonte huamarrje në renminbi për të përfunduar një projekt të rëndësishëm autostrade, që u bllokua kur vendi dështoi në shlyerje në vitin 2022.Me normën bazë të fondeve federale në SHBA në intervalin 4.25 deri 4.5 për qind, shumë më lart se normat ekuivalente të vendosura nga bankat e tjera qendrore kryesore, kostoja e huamarrjes së re në dollarë është relativisht e lartë për shumë vende në zhvillim, edhe pse diferencat për këtë borxh janë në primet më të ulëta ndaj bonove të thesarit të SHBA-së prej dekadash.Banka Kombëtare e Zvicrës uli normat në zero në qershor, ndërsa norma bazë e REPO-s në Kinë është 1.4 për qind.Shumë nga huatë “Belt and Road” të viteve 2010 ishin në dollarë, në një kohë kur normat e interesit të SHBA-së ishin shumë më të ulëta.Kostoja për të dyja, Kenian dhe Sri Lankën, e këtij borxhi është rritur ndjeshëm që prej atëherë, duke shtuar nxitjen për t’u larguar nga financimi në dollarë.Duke huazuar në monedha si renminbi dhe franga zvicerane, vendet mund të sigurojnë borxh me norma shumë më të ulëta interesi sesa ato që ofrohen nga obligacionet në dollarë.Meqënëse qeveritë rrallë kanë të ardhura nga eksportet në monedha si renminbi apo franga zvicerane, ato mund të duhet të mbrojnë ekspozimin e tyre ndaj kursit të këmbimit përmes instrumenteve derivativë.Panamaja mori gati 2.4 miliardë dollarë ekuivalent në kredi në franga zvicerane vetëm në korrik, ndërsa qeveria e këtij vendi të Amerikës Qendrore po përpiqej të kontrollonte deficitin fiskal dhe të shmangte një ulje të vlerësimit të saj kreditor në nivelin “junk”.Felipe Chapman, ministri i Financave të Panamasë, tha se aksesimi i financimit më të lirë kurseu mbi 200 milionë dollarë krahasuar me emetimin e borxhit në dollarë dhe se huatë e reja ishin të mbrojtura.Ai shtoi se vendi kishte “diversifikuar” menaxhimin e borxhit sovran në euro dhe franga zvicerane “në vend që të mbështetej vetëm në tregjet e kapitalit në dollarë”.Edhe Kolumbia duket se po lëviz drejt huave në franga zvicerane për të rifinancuar obligacionet në dollarë.Javën e kaluar, një grup bankash globale shpalli një ofertë për të blerë obligacione kolumbiane, që investitorët e panë si pjesë të organizimit të një huaje në franga zvicerane për qeverinë, e cila do të përdorte borxhin ekzistues si kolateral.Ndërsa Bogota ende nuk e ka konfirmuar një hua të tillë, Ministria e Financave të vendit sinjalizoi plane për të diversifikuar huamarrjen e saj të jashtme në qershor.Borxhi i vendit në monedhë vendase u ul në nivel “junk” nga S&P atë muaj, pasi qeveria pezulloi një rregull fiskal kyç.Investitorët thanë se emetimi i obligacioneve në franga zvicerane nga qeveritë mund të ndihmojë në kufizimin e faturës së interesave, por në afat të gjatë një huamarrje e tillë nuk mund të zëvendësojë aksesin në tregun shumë më të madh të obligacioneve në dollarë.Edhe kompanitë në tregjet në zhvillim po shesin më shumë obligacione në euro këtë vit, me shumën e këtij borxhi të emetuar që arriti në një rekord prej 239 miliardë dollarësh deri në korrik, sipas JPMorgan. Stoku total i obligacioneve të korporatave të tregjeve në zhvillim në dollarë arrin rreth 2.5 trilionë dollarë.“Këtë vit emetimi në euro po rritet më shumë sesa shohim në emetimin në dollarë,” tha Toke Hjortshøj, menaxher portofoli i lartë në Impax Asset Management. Ai shtoi se emetuesit aziatikë përbëjnë një të tretën e stokut të përgjithshëm në euro, nga 10 deri në 15 për qind 15 vjet më parë. / FTKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Vendet në zhvillim zëvendësojnë borxhin në dollarë për të ulur kostot e huamarrjes
