Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Berisha nderuan sot artistin e madh Dhimitër Anagnosti, në ceremoninë e homazheve të zhvilluara në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku personazhe të jetës politike dhe kulturore në vend, aktorë, kineastë, si dhe shumë dashamirës të artit e njerëz të thjeshtë nderuan regjisorin e mirënjohur.
Berisha tha për mediat se Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit. Ai i shprehu ngushëllimet artistes Roza Anagnosti, bashkëshortes së Dhimitër Anagnostit dhe gjithë familjes së regjisorit.
Berisha: Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar. Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit.
Lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve.
Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij.
Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike.
Në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit.
Ndaj, dhe njëherë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta.
