AKEP propozon ulje të tarifave me shumicë të telefonisë fikse

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) propozon të ulë tarifat e terminimit të thirrjeve (tarifat me shumicë që operatorët i paguajnë njëri-tjetirt) vitin e ardhshëm.Nga të dhënat e AKEP, rezulton se tarifat e terminimit të thirrjeve në rrjetet telefonike fikse në Shqipëri janë dukshëm më të larta se ato të 27 vendeve të BE-së. Gjithashtu, tarifa aktuale e terminimit fiks në Shqipëri është shumë herë më e lartë në krahasim me tarifën e përbashkët të terminimit prej 0.07 eurocent/min e implementuar në vendet e BE.Mbi këtë bazë, në analizën e tregut të telefonisë fikse të përgatitur nga AKEP, propozohet që tarifa e terminimit në rrjetet e operatorëve fiks të ulet gradualisht me 57%, në intervalin kohor 1 mars 2026-1 mars 2027.Nga 0.7 lekë për minutë që është aktualisht kjo tarifë, AKEP propozon që nga 1 marsi 2026 kjo tarifë të ulet në 0.3 lekë për minutë. Ulja parashikohet të vazhdojë me në etapë të dytë, në 0.15 lekë prej 1 shtatorit 2026 dhe të finalizohet në nivelin 0.07 lekë për minutë, në 1 mars 2027.Në kushtet në të cilën ndodhet tregu i telefonisë fikse në vendin tonë, në mungesë të ndërtimit të modelit BU LRIC të pastër, AKEP ka përdorur metodën e rregullimit sipas tarifës mesatare në vendet e BE/rajonit (benchmark), me argumentin se gjendja e tregut të telefonisë fikse nuk e justifikon ngritjen e një modeloi të pastër të kostove.AKEP konstaton një rënie e ndjeshme e trafikut të thirrjeve të origjinuara nga rrjetet e telefonisë fikse në vite dhe të ardhurave respektive të sipërmarrësve të telefonisë fikse, si edhe një kërkesë gjithnjë e në rënie e përdorimit të shërbimeve të telefonisë fikse, si rrjedhojë edhe e rritjes së përdorimit në masë të shërbimeve të telefonisë celulare.Sipas të dhënave të AKEP, në fund të vitit të kaluar në Shqipëri rezultonin 165 380 pajtimtarë të telefonisë fikse. Numri i tyre ka rënë për të gjashtin vit radhazi, me 4.5% krahasuar me një vit më parë. Në harkun e një dekade, numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse ka rënë me 35%.Sipas AKEP, tregu në vendin tonë karakterizohet nga një normë mjaft e ulët e penetrimit  krahasuar me vendet e tjera në BE dhe rajonit. Për vitin 2024, ky tregues u rrit lehtë në 6.9%, por vetëm si pasojë e uljes së bazës së popullsisë nga të dhënat e Censit 2023.Kjo normë mbetet shumë më e ulët krahasuar me mesataren botërore, që është rreth 11% si dhe me vendet e zhvilluara, ku telefonia fikse ende ruan një normë përdorimi rreth 33%. Të dhënat konfirmojnë se rënia e pajtimtarëve nuk është një fenomen i përkohshëm, por një orientim afatgjatë i tregut drejt alternativave më fleksibël dhe bashkëkohore të komunikimit elektronik.Sipas të dhënave statistikore të depozituara në AKEP rezulton se numri i operatorëve të aktivë të rrjeteve të telefonisë fikse është aktualisht 29./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.