Një grup arkeologësh pranë Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave kanë zbuluar një varr monumental i pari në llojin e tij në Shqipëri që i përket periudhës romake.
Gjatë zbatimit të një projekti për kërkime arkeologjike në luginën e Bulqizës, arkeologët zbuluan varrin në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës” të fshatit Strikçan. Nga hulumtimi paraprak arkeologët vlerësojnë se i përket periudhës romake.
“Varri ka përmasa të mëdha 9 metra gjatësi dhe 5 metra gjerësi, i ndarë në disa pjesë”, u shpreh arkeologu Erikson Nikolli.
Sipas arkeologut Nikolli një varr monumental i këtij lloji ndërtohej vetëm për udhëheqës të lartë të kohës.
“Brenda janë gjetur eshtra të cilat do t’i nënshtrohen analizve dhe që pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë monument dhe kohën në të cilën është ndërtuar”, shtoi Nikolli.
Gërmimet arkeologjike do të vijojnë deri në zbulimin e plotë të monumentit, ndërsa më pas ai do të ruhet nga Bashkia e Bulqizës për tu kthyer në një atraksion turistik.
