Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti në Afganistanit, mbi 800 të vdekur dhe mijëra të plagosur

Rëndohet ndjeshëm bilanci tragjik i tërmetit shkatërrues që goditi mbrëmjen e së dielës rajonin lindor të Afganistanit. Sipas zëdhënësit të qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, numri i viktimave ka shkuar në 800, ndërsa mbi 2,500 persona janë plagosur vetëm në provincën Kunar. Në Nangarhar janë raportuar të paktën 12 viktima të tjera dhe 255 të plagosur.

Tërmeti me magnitudë 6.0 të shkallës Rihter, me epiqendër pranë qytetit Jalalabad dhe vetëm 5 km thellësi, shkatërroi dhjetëra fshatra të ndërtuar me baltë dhe gurë, ndërsa pasgoditjet e shumta kanë shtuar panikun.
Situata është përkeqësuar nga rrëshqitjet e dheut për shkak të reshjeve të fundit, të cilat kanë bllokuar rrugët kryesore dhe kanë penguar ndihmën e shpejtë. Spitalet në Kunar janë të mbingarkuara, me pacientë që trajtohen në korridore dhe ambiente të jashtme.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë banorë që kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja, ndërsa forcat e sigurisë dhe ekipet e shpëtimit janë vënë në lëvizje. Autoritetet lokale theksojnë se shumë nga të prekurit janë refugjatë të kthyer së fundmi nga Pakistani dhe Irani.
Talebanët kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare urgjente, ndërsa mijëra familje janë detyruar të kalojnë natën nën qiell të hapur.
/vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *