Katër persona janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën në flagrancë në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, duke mbajtur një kilogram kokainë me qëllim shitjen. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan 1 kg e 65 gram kokainë, dy automjete tip “Benz”, katër aparate celularë dhe një shumë parash, të gjitha të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Dyshohet se të arrestuarit përdornin automjete të ngjashme për të shpërndarë lëndën narkotike dhe për të shmangur vëmendjen e autoriteteve.
“Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Twins”. U kapën në flagrancë në një lokal me një pako me lëndë narkotike kokainë, vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen 1 kg e 65 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 automjete tip “Benz”, 4 aparate celular dhe një shumë parash. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Twins”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: -A. L., 25 vjeç, G. P., 30 vjeç, P. K., 18 vjeç dhe J. Z., 18 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit A. L dhe G. P, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen. Ndërsa shtetasit P. K dhe J. Z, shtetas grek, nuk kanë kallëzuar për krimin, shokë me 2 të arrestuarit e lartpërmendur. Më tej, nga hetimet ka rezultuar se shtetasit A. L. dhe G. P. përdornin automjetet e tyre tip “Benz”, të ngjashme me njëra-tjetrën, për transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, me qëllim konfuzimin e Policisë. Lënda narkotike, së bashku me 2 automjetet, celularët e shtetasve të arrestuar, dhe një shumë parash, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje policia.
U kapën me 1 kg kokainë në një lokal në Tiranë, arrestohen 4 persona, sekuestrohen drogë, para dhe 2 automjete
