Një tërmet i fortë ka goditur pjesën lindore të Afganistanit, pranë kufirit me Pakistanin, duke shkaktuar të paktën 250 të vdekur dhe 500 të plagosur.
Siç shkruajnë mediat e huaja, shërbimet e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar në rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
Tërmeti u shënua në provincën malore Kunar në orën 23:47 të së dielës, 31 gusht, 27 km në verilindje të qytetit Jalalabad, me një thellësi prej vetëm 8 km.
Autoritetet vendase raportojnë për viktima dhe dëme të mëdha në Nur Gul, Soki, Watpur, Manogi dhe Chapadare, ndërsa qindra të plagosur janë dërguar në spital.
Qyteti Jalalabad, me rreth 300 mijë banorë, është një qendër tregtare e rëndësishme për shkak të afërsisë me Pakistanin. Shumica e ndërtesave janë të ulëta, prej betoni dhe tullash, ndërsa në zonat periferike ka shtëpi prej balte dhe druri.
Afganistani preket shpesh nga tërmetet, sidomos në malet Hindu Kush, ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.
Vetëm vitin e kaluar, një seri tërmetesh në perëndim la më shumë se 1 mijë viktima, ndërsa një tërmet me magnitudë 6.3 më 7 tetor 2023 shkaktoi vdekjen e të paktën 4 mijë personave.
Tërmet shkatërrues në Afganistan, 250 të vdekur dhe qindra të plagosur
