“Sistem i dështuar”/ PL, nuk ndal akuzat ndaj qeverisë: Pleqëria në Shqipëri nuk është e mbrojtur, por e braktisur

Partia e Lirisë, ka ndarë akuzat e rradhës lidhur me pensionistët e braktisur, duke akuzuar drejtëpërdrejtë qeverinë me dështimin e tyre.
Deklarata e Sekretares për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë:
Qeveria Rama ka braktisur pensionistët shqiptarë, duke i lënë në një mjerim të thellë ekonomik dhe shoqëror. Të dhënat e fundit flasin qartë, hendeku mes pensioneve dhe pagave është zgjeruar në mënyrë dramatike.
Sipas të dhënave të fundit, shkalla e zëvendësimit të pensioneve urbane ka rënë nga 37,6 % në vitin 2020 në vetëm 31,2 % në vitin 2024, ndërsa për zonat rurale ajo ka zbritur nga 35,7 % në 29,7 %, nivel ky që për herë të parë ka rënë nën 30 %
Ky është tregues i një sistemi të dështuar, ku pleqëria në Shqipëri nuk është e mbrojtur, por e braktisur. Ky është realiteti i hidhur, të moshuarit tanë janë të detyruar të zgjedhin mes bukës së gojës dhe ilaçeve, ndërsa qeveria flet për “suksese imagjinare”.
Ky është krim social dhe një turp kombëtar. Në vend që të ndërtojë një strategji afatgjatë për pleqërimin e shëndetshëm dhe dinjitoz, qeveria mban pensionistët peng të politikave elektorale, duke shpërndarë ndihma të vogla vetëm para zgjedhjeve, ndërsa gjatë gjithë viteve i lë në harresë. Kjo nuk është qeverisje, por mashtrim i pastër.
Ne i themi sot qartë Edi Ramës dhe qeverisë së tij, mjaft u tallët me pensionistët! Ata nuk janë numra për propagandën tuaj, por qytetarë që kanë sakrifikuar për këtë vend. Varfërimi i tyre është dëshmi e qartë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë që prej 12 vitesh nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar këtë realitet.