Fondet e investimit “ngrenë kokë”

Tregu i fondeve të investimit u rrit për të dytin vit radhazi në 2024.Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve në fund të vitit të kaluar arritën në 55.4 miliardë lekë (pa përfshirë fondet e investimeve alternative, ku sipas ligjit mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë).Vlera neto e aseteve është rritur me 21% krahasuar me një vit më parë.Vlera e aseteve ngelet ende më e ulët krahasuar me nivelin rekord historik, që ishte arritur në fund të vitit 2021. Viti 2022 solli goditje të fortë për tregun, të shkaktuar nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar.Kjo zhvlerësoi portofolin e titujve të mbajtur nga fondet e investimit, solli ulje të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet.Megjithatë, frenimi i rritjes së normave të interesit dhe më tej rënia e tyre gjatë vitit 2024 bëri që vlera e aseteve t’i kthehet rritjes dhe numri i anëtarëve gjithashtu, duke e vendosur tregun në një fazë rikuperimi gradual.Numri i anëtarëve në fund të 2024-s arriti në 37 786, në rritje me 17.4% krahasuar me një vit më parë.Fondet e investimit në Lek i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare).Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare.Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg mbetet e ulët.Deri në fund të vitit 2024, në treg ishin aktive 16 fonde investimi, të administruara nga pesë shoqëri administruese. Prej tyre, 13 janë fonde të hapura investimi, kryesisht në instrumente financiare, ndërsa tre janë fonde për investime alternative.Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë afërsisht 92% të vlerës neto të aktiveve të fondeve të investimit në instrumente financiare.Në dy vitet e fundit, vlera e fondeve në valutë të huaj ka ardhur në rënie, e ndikuar negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit.Shifrat e raportuara nga shoqëritë administruese tregojnë se performanca e fondeve të investimit është në përmirësim, kryesisht për shkak të uljes së normave të interesit në tregun primar.Për muajin qershor 2025, fondi më i madh i investimeve në Lek, Raiffeisen Prestigj, raportoi një kthim vjetor pozitiv në masën 5.79%, ndërkohë që e pati mbyllur vitin 2024 me një kthim vjetor në masën 6.16%.Edhe fondi tjetër i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, në fund të muajit qershor raportonte kthim vjetor pozitiv, në masën 9.35%, ndërkohë që e kishte mbyllur vitin 2024 me një kthim prej 9.06%.Fondi Credins Premium, në fund të muajit qershor, raportonte një kthim vjetor nga investimi në masën 9.9%, në rritje nga niveli prej 7.86% i fundit të vitit 2023.Fondi Albsig Standard, sipas të dhënave më të fundit, raporton një kthim 8.17%, ndërsa në fund të vitit 2024, kthimi vjetor pati arritur në 10.16%.Mes fondeve në Euro, Raiffeisen Miks në muajin qershor kishte një kthim vjetor në masën 4.91% (7.68% në fund të 2024), ndërsa Raiffeisen Invest Euro, një kthim vjetor në masën 4.85% (3.28% në fund të 2024).Ndërkohë, fondet e angazhuara në investime në aksione këtë vit po shfaqin një ecuri më të dobët, duke reflektuar kryesisht ndikimet negative që ka dhënë lufta tarifore e nisur nga administrata Trump në tregjet financiare.Fondi në Lek, WVP Top Invest, në fund të qershorit ofronte një kthim në masën -1.83%, ndërsa ai në Euro, WVP Global, për të njëjtën periudhë, ofronte kthim në masën -1.51%.Në përgjithësi, për fondet e angazhuara në investime në aksione, luhatshmëria është më e lartë krahasuar me fondet e tjera, të cilat investojnë kryesisht në tituj borxhi.     Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.