Një Gjykatë Apeli federale në SHBA vendosi se shumica e tarifave doganore të shpallura nga Donald Trump janë të paligjshme, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e tyre si instrument kyç të politikës ekonomike ndërkombëtare të Presidentit amerikan.
“Ligji i jep Presidentit një autoritet të rëndësishëm për të ndërmarrë një sërë veprimesh në përgjigje të një emergjence kombëtare të shpallur, por asnjë prej këtyre veprimeve nuk përfshin në mënyrë eksplicite fuqinë për të vendosur tarifa, taksa doganore apo të ngjashme, ose fuqinë për të vendosur tatime”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit në SHBA.
Vendimi, i marrë me 7 vota pro dhe 4 kundër, mund të vërë sërish në diskutim marrëveshjet që Trump ka nënshkruar me Bashkimin Europian dhe partnerë të tjerë tregtarë, si dhe tarifat e vendosura ndaj Kinës, Kanadasë dhe Meksikës. Megjithatë, ai nuk do të hyjë në fuqi para datës 14 tetor, duke i dhënë administratës Trump kohë për të vijuar betejën në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë kreu i Shtëpisë së Bardhë i është përgjigjur i zemëruar këtij vendimi në rrjetin Truth Social.
“Nëse këto tarifa do të hiqeshin ndonjëherë, do të ishte një katastrofë e plotë për vendin. Do të na bënte financiarisht të dobët dhe ne duhet të jemi të fortë. Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më deficite tregtare gjigante dhe tarifa doganore apo barriera të padrejta jotarifore të imponuara nga të tjerët. Nëse lihet në fuqi, ky vendim do të shkatërronte fjalë për fjalë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Beteja gjyqësore sapo ka nisur”, tha Trump.
Ndërkohë, tensionet tregtare me Bashkimin Evropian janë rritur. Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, ka deklaruar se Unioni nuk do të bëjë asnjë lëshim ndaj Shteteve të Bashkuara në fushën e rregullimit të teknologjisë. Ajo theksoi se kompanitë amerikane që operojnë në Evropë duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla si çdo subjekt tjetër tregtar.

Leave a Reply