Shtetet e Bashkuara bënë me dije se nuk do t’u japin viza anëtarëve të Autoritetit Palestinez, të cilët priteshin të merrnin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm, ku Franca po udhëheq përpjekjen për njohjen e një shtetit palestinez.
“Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio po refuzon dhe revokon vizat për anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Autoritetit Palestinez para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Administrata e Presidentit Donald Trump ka qenë e qartë: interesat e sigurisë sonë kombëtare për të mbajtur përgjegjës Autoritetin Palestinez për mospërmbushjen e zotimeve të tyre dhe për minimin e mundësive për paqe”, njofton DASH.
DASH-i bëri thirrje Autoritetit Palestinez të heqë dorë nga “përpjekjet për të siguruar njohjen e një shteti hipotetik palestinez në mënyrë të njëanshme”.
Ndërkohë ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, përmes një postimi në X, falënderoi administratën Trump për këtë hap të guximshëm dhe për mbështetjen e Izraelit .
Ndërkaq, Autoriteti Palestinez i kërkoi Uashingtonit të zhbëjë këtë vendim duke thënë se është në kundërshtim të qartë me të drejtën ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Selisë së OKB-së.
Presidenti francez Macron ka thirrur një samit të posaçëm më 22 shtator, një ditë para hapjes zyrtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur Franca do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez.
Që nga njoftimi i tij, edhe Kanadaja dhe Australia kanë thënë se do ta njohin një shtet palestinez, ndërsa Britania ka deklaruar se do ta bëjë këtë nëse Izraeli nuk pajtohet për një armëpushim në Gaza.
/vizionplus.tv

Leave a Reply