Afera e laboratorëve “smart”, tenderi 16 milionë euro i Albascan, kosto trefish mbi treg, laptopë katër herë…

Një nga aferat më të mëdha të viteve të fundit në sektorin e teknologjisë dhe arsimit mbetet ajo e laboratorëve “smart”, një projekt i financuar nga qeveria dhe menaxhuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Tenderi me vlerë rreth 16 milionë euro, iu dha kompanisë Albascan shpk në fund të vitit 2022 për pajisjen e 216 shkollave me laboratorë modernë, por shpejt u shndërrua në një simbol të abuzimeve me fondet publike. Ish-ministri Arben Ahmetaj dhe opozita kanë ngritur dyshime të forta për implikimin e “baxhanakut” të
Kryeministrit Edi Rama, i cili përmendet në përgjime ambientale si person kyç në pazaret e tenderave të AKSHI-t. Madje është raportuar se edhe bashkëshortja e Kryeministrit, znj. Linda Rama, dyshohet se ka zhvilluar takime me një prokuror që po hetonte këtë çështje, një detaj që ngre pikëpyetje mbi ndërhyrjet në drejtësi. Arben Ahmetaj, edhe pse vetë nën hetim, e akuzoi publikisht qeverinë se kontrata e laboratorëve iu dha “pa garë dhe me kosto të fryra dhjetëfish mbi vlerën reale”.
Çmimet e fryra dhe skema e kompanive zinxhir
Mësohet se fondi limit i tenderit të Albascan u rrit trefish krahasuar me një tender thuajse identik që AKSHI kishte kryer disa kohë më parë. Jo vetëm kaq, por rezultoi se laptopët e furnizuar për laboratorët ishin zhdoganuar në doganë me çmim gati 4 herë më të ulët sesa ai me të cilin iu shitën AKSHI-t. Për të maskuar këtë diferencë të pajustifikueshme, skema e furnizimit u bë me ndërmjetësimin e disa kompanive zinxhir: fillimisht pajisjet u importuan nga Infosoft Systems, pastaj u shitën tek Advanced Business Solutions (ABS), e cila më pas ia rishiti Albascan-it, e cila nga ana e vet ia shiti AKSHI-t për çmimin final shumëfish më të lartë.
Ky “trekëndësh shitjesh” tregon ekzistencën e një rrjeti të strukturuar kompanish që bashkëpunojnë për të fryrë koston ndaj shtetit. Ahmetaj madje pretendoi se për këtë aferë SPAK kishte lëshuar dy urdhër-arreste ndaj zyrtarëve përgjegjës, të cilat u grisën papritur para se të ekzekutoheshin duke nënkuptuar ndërhyrje nga lart për të shtyrë apo zhbërë ndëshkimin. Edhe nëse ky detaj mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht, vetë fakti që pas tenderit të Albascan hetimet u intensifikuan dhe AKSHI “preu” kontaktet me ABS* (ABS u përjashtua urgjentisht nga çdo procedurë e re prokurimi prej fillimit të 2024) tregon se skema ka krijuar alarm ligjor.
Dosja “fle” në SPAK
Edhe pse faktet për kosto të fryra, kompani zinxhir dhe ndërhyrje politike janë bërë publike, hetimet për aferën e laboratorëve “smart” nuk kanë dhënë ende rezultate konkrete. Dosja vijon të “flejë” në SPAK, ndërsa kompanitë e përmendura vijojnë të operojnë në treg dhe të marrin kontrata të tjera publike. Edhe pse hetuesit e BKH sekuestruan disa muaj më parë një sërë kompjuterësh, telefonash dhe materialesh në cilësinë e provës, deri më sot asnjë arrestim nuk është kryer për këtë aferë.
Ky rast është një ilustrim i qartë i mënyrës se si tenderat shumëmilionësh transformohen në burime abuzimi, duke lënë pa përgjegjësi aktorët e përfshirë dhe duke u kthyer në një provë të mungesës së vullnetit politik për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta. AKSHI është një nga institucionet më të përfolura për korrupsion në vend. Ky institucion vitet e fundit është përfshirë në disa skandale të madhe, që nga cënimi i të dhënave personale të qytetarëve e deri tek dyshimet për përdorimin e tyre për qëllime politike.