Festivali folklorik “MIOFF”, 16 trupa artistike nga vende të ndryshme gjallërojnë Durrësin

Qyteti i Durrësit u kthye për një natë në një skenë të gjallë të kulturës ballkanike dhe më gjerë, me zhvillimin e festivalit folklorik “MIOFF”, një ngjarje që solli bashkë grupe artistike nga shtatë vende të ndryshme.

Në këtë edicion morën pjesë 16 trupa artistike nga Rumania, Bullgaria, Greqia, Ukraina, Polonia, Estonia dhe natyrisht Shqipëria, të cilat sollën para publikut një pasuri ritmesh, ngjyrash dhe motivesh tradicionale.
Një nga pjesëmarrësit e veçantë ishte grupi “Kopani” nga Janina e Greqisë, që merrte pjesë për herë të parë në një festival në Shqipëri.

“Vijmë për herë të parë në Shqipëri dhe festivalin e këtij viti që mbahet në Durrës. Ne do të kërcejmë valle me motive epirote, kryesisht të zonës së Sulit. Është një festival shumë i bukur, kemi marrë pjesë disa herë në fakt, i njohim edhe grupet e tjera që janë pjesë e këtij festivali. Qyteti i Durrësit është shumë i bukur, shumë njerëz dhe turistë dhe festivali i ka dhënë një bukuri këto ditë”, tha Janis Athanasiu, koreograf i grupit “Kopani”, Janinë.
Organizatori i festivalit, Zoran Leveski, theksoi rëndësinë që ka “MIOFF” në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në rajon.
“Sot kemi 16 grupe në total që do të performojnë me këngë dhe valle të zonave nga vijnë. Janë kryesisht vende nga Ballkani por edhe më gjerë. Kemi qenë në fillim të qershorit për këtë festival në Durrës dhe po e mbyllim pak më herët, në fund të gushtit. Ky është një festival shumë i bukur pasi grupet pjesëmarrëse prezantojnë traditat e tyre më të mira dhe shpresoj që ky festival të vazhdojë kështu edhe të paktën për 10 vitet e ardhshme”, tha organizatori i festivalit, Zoran Leveski.
Me kostumet e tyre tradicionale, artistët u paraqitën me një performancë emocionuese, duke dëshmuar se folklori vazhdon të jetë një nga urat më të forta që lidh kulturat dhe popujt e Ballkanit.