Presidenti Volodymir Zelensky deklaroi se sulmi vdekjeprurës ndaj Ukrainës në dy ditët e fundit është jo vetëm goditje nga Rusia ndaj vendit të tij, por edhe ndaj presidentit amerikan Donald Trump.
“Në Uashington dëgjuam se Putini supozohet se është gati t’i japë fund luftës – të takohet në nivelin e udhëheqësve dhe të zgjidhë çështjet kyçe. Por në vend të kësaj, ai zgjedh balistikën mbi çdo hap të vërtetë drejt paqes. Ai vret fëmijë për të mos folur se kur dhe si do të vijë paqja.”, tha Presidenti Volodymir Zelensky.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Presidenti Trump është i pakënaqur me sulmet ruse, por megjithatë, ai nuk ishte i befasuar.
“Ndoshta të dyja palët e kësaj lufte nuk janë gati ta përfundojnë vetë. Presidenti dëshiron që kjo luftë të përfundojë, por udhëheqësit e këtyre dy vendeve vërtet kanë nevojë për një gjë të tillë.”, deklaroi Caroline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se edhe dëmet që Ukraina i kishte shkaktuar Rusisë disa ditë më parë ishin të konsiderueshme.
Të paktën 23 persona humbën jetën nga bombardimet e ushtrisë ruse, 8 të tjerë rezultojnë të humbur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Nga sulmet pati dëme të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë civile në disa rajone të kryeqytetit. Zyrat e delegacioneve të BE-së dhe Britanisë së Madhe u shkatërruan gjithashtu.
/vizionplus.tv
