Nga Julia Vrapi
Një javë plot humor në festivalin e komedisë “Koko Fest” në Korçë. Vepra të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj janë këtë vit pjesë e festivalit ndërkombëtar të komedisë në Korçë, ku për publikun do të shfaqen komedi që janë produksione të teatrit në Shqipëri, Kosovë dhe Itali. Festivali do të nisë më datë 31 gusht dhe do të vijojë deri më 6 shtator në teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës. Festivali është garues dhe këtë vit shënon edicionin e tij të 12 -të, si dhe është në vijim dhe të tjerë aktiviteteve artistike dhe kulturore, që janë zhvilluar përgjatë verës në këtë qytet. Këtë edicion në skenë vijnë komedi, që do të interpretohen nga aktorë të njohur, por dhe të rinj në role. Bashkia Korçë dhe Qendra e Artit dhe Kulturës në këtë qytet prej disa ditësh kanë bërë me dije zhvillimin e festivalit, ku do të ketë dhe një program të larmishëm artistik. Festivali sipas materialit të publikuar do të hapet me komedinë “Një martesë, një divorc, një funeral” me regji nga Rovena Lule- teatri “A. Z. Çajupi” në Korçë. Mbrëmja e datës 1 shtator do të sjellë në skenë komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja” me regji nga Kiço Londo, prodhim i teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit, më 2 shtator do të jetë në skenën e festivalit “Vendi më i humbur në Shqipëri” regjia Andia Xhunga, produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Artistët nga Prishtina do të vijnë në këtë festival me komedinë “Art” me regji nga Bashkim Ramadani, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Pjesë e festivalit janë dhe artistët që do të vijnë nga Italia. Komedia “Dërgesat e Don Kishotit” me regji nga Alessandro Piazzolla vjen në skenën e festivalit në Korçë nga trupa e teatrit Barleta nga Italia. Më 5 shtator në skenë do të jetë komedia “Zullulandia” me regji nga Endri Çela produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Mbrëmja e 6 shtatorit do të sjellë në “Koko Fest” shfaqjen “Komedia e zezë” me regji nga Ilir Bokshi, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren.
Festivali pjesë e aktiviteteve
Festivali ndërkombëtar i komedisë “Korça Komedi Festival” është një festival, që gjatë netëve të tij nuk mungojnë dhe artistë të ftuar, si dhe në përfundim është dhe ndarja e çmimeve nga juria që është për çdo edicion. Festivali, i cili zhvillohet prej vitesh në këtë qytet ka sjellë për publikun një sërë shfaqjesh, e mes tyre nuk kanë munguar dhe premierat teatrore. Festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” në Korçë një vit më parë shënoi edicionin e tij të 11-të. Trupa teatrore nga Vlora, Durrësi, Shkodra, Korça dhe Kosova e Greqia u ngjitën në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” për tetë mbrëmje radhazi një vit më parë, duke përcjellë emocione dhe humor për publikun. Festivali u çel në 28 gusht 2024 me shfaqjen “Vassa Zheleznova” me regji nga Enke Fezollari nga teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës. Juria e përbërë nga personalitete të teatrit dhe kinematografisë shqiptare vlerësuan si shfaqjen më të mirë “Karnavalet e Korçës” me regji të Erion Isait, ndërsa çmimin për regjinë më të mirë e mori Fatos Berisha me shfaqjen “Club Albania”, ku në vijim u ndanë të tjera çmime edhe për aktorët.