Pushteti vendor nuk do të ketë më kompetencë menaxhimin e integruar të mbetjeve. Kryeministri Edi Rama njoftoi se për këtë qëllim, brenda vitit 2026 do të krijohet një ndërmarrje e re, e cila do të menaxhojë mbetjet, në nivel kombëtar.
“Është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku kemi parashikuar krijimin e operatorit kombëtar të trajtimit të mbetjeve, një agjenci, institucion, ndërmarrje e re që do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve. Nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por i administruar nga ky operator kombëtar, në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes. Bashkitë do të jenë klientë, njësoj siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, tha Edi Rama.
“Bashkive nuk ju lëviz kompetenca e menaxhimit të territorit për menaxhimin e mbetjeve, pastërtia në territor është detyrë e bashkive. Infrastrukturën e lehtë, burimet njerëzore, mirëmbajtjen, kontrollin, policin pa uniformë e ka bashkia. Përgjegjësia e bashkive do të vijojë të jetë, por do të jetë operatori kombëtar ai që do të nhëjuë të gjithë infrastrukiturën e rëndë dhe trajtimin e mbetjeve”, tha Mirela Kumbaro, Ministre për Turizmin dhe Mjedisin.
Edi Rama deklaroi se do të ketë një operacion edhe kundër varrezave të makinave dhe po ashtu do t’i kërkohet edhe biznesit prodhues, shpërndarës dhe importues që të mbajë përgjegjësi dhe të ndjekë mbetjet që shkaktohen nga veprimtaria e tyre ekonomike. Bizneset kryesore që preken nga ky detyrim janë ato të ambalazhit, elektroshtëpiaket dhe bateritë e akumulatorët.
“Nëse në pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit dhe të plazheve sidomos gjatë sezonit, kemi bërë përparime të dukshme, edhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse, jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, ku përfshihen qelqi, bateritë, automjetet,. Jemi i vetmi vedn në Evropë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjitha atyre varrezave. Jemi një vend që nuk ka akoma detyrim për prodhuesit, shpërndarësit lidhur me çfarë ndodh me gjithë këto materiale, kur e kryejnë misionin e tyre si ambalazh, si pajisje elektrike apo si automjet. Kemi sërish një ligj për këtyë që do të kalojë në Kuvend brenda këtij viti”, deklaroi Rama.
Ministrja Mirela Kumbaro paralajmëroi se sanksionet për ndotjen do të jenë më të ashpra. /vizionplus.tv
