10 muaj në qeli, Ilir Meta fajëson Monika Kryemadhin dhe kushërinjtë e saj për akuzat, ish-presidenti zbulon…

Ilir Meta po vuan muajin e dhjetë pas hekurave, por ish-presidenti shfaqet i palëkundur në pafajësinë e tij. Ai ka refuzuar kategorikisht gjykimin e shkurtuar, duke deklaruar se nuk do të kërkojë ulje dënimi, por një proces të plotë e transparent, duke sfiduar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe akuzat ndaj tij. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, zbuloi dje gjatë një konference për shtyp, krah sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, se Presidenti i PL, Ilir Meta do të përballet drejtpërdrejt me dëshmitarët, duke i parë ata në sy.
Në një kthesë të fortë, kreu i PL fajëson hapur ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe kushërinjtë e saj për akuzat që e kanë futur pas hekurave. Sipas Metës, karta e përdorur për veprimet e dyshimta nuk ka qenë kurrë në dijeninë e tij. “Nuk do të pranojmë gjykim të shkurtuar, s’është në interesin tonë. Do të zhvillohet gjyq i zakonshëm. Ilir Meta do të jetë në sallë përballë dëshmitarëve, do i shohë në sy. Do i shihni dhe çfarë dëshmitarët do të dëshmojnë kundër Metës, që të dëgjojë dhe SPAK.
Meta nuk mban përgjegjësi për ish-bashkëshorten dhe kushërinjtë e saj. Karta ka qenë e saj, Meta nuk ka patur asnjë dijeni”, deklaroi avokati Cakrani. Por ky qëndrim pritet të ndezë akoma më shumë tensionin mes dy figurave politike që dikur ndanin jo vetëm jetën private, por edhe skenën publike. Tashmë, të gjitha sytë janë nga procesi gjyqësor që mund të sjellë zhvillime të bujshme. Nëse akuzat bien mbi Kryemadhin, pasojat politike do të jenë tronditëse për të dhe madje ajo rrezikon burgun.
Arrestimi i Metës, avokati: Presidenti i PL u rrëmbye nga policia
Po ashtu, avokati Kujtim Cakrani, ka folur edhe në lidhje me ndalimin e ish-Presidentit Ilir Meta, duke iu referuar një raporti të Avokatit të Popullit që ka hetuar çështjen menjëherë pas publikimit të videos së ndalimit në media. Sipas Cakranit, raporti në fjalë është rezultat i një hetimi gjashtëmujor dhe përfshin rekomandime të qarta për Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, lidhur me shkeljet në procedurën e ndalimit. “Unë do të ndalesha së pari te hetimi administrativ që ka kryer Avokati i Popullit menjëherë pasi ka parë në media videon se si është rrëmbyer ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Avokati i Popullit ka zhvilluar një hetim gjashtëmujor dhe para disa ditësh, na ka vënë në dispozicion edhe rekomandimet, pra, gjetjet që ai ka konstatuar dhe rekomandimet që i ka bërë Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, lidhur me mënyrën e arrestimit. Pa dyshim që në këtë raport, Avokati i Popullit shprehet me gjuhë juridike dhe nuk mund të thotë se ka ndodhur një “rrëmbim”, por e cilëson si një mënyrë të padrejtë ligjore arrestimi. Sepse, nëse do të përdorte termin “rrëmbim”, kjo do të ishte fatale, prandaj ai është kujdesur që të qëndrojë brenda kornizës juridike.
Nuk e di nëse ju si media, e dispononi këtë raport, i cili është rreth 25 faqe, dhe në hetimet që ka kryer Avokati i Popullit është treguar shterues, që nga momenti i arrestimit e deri më sot. Për të ardhur keq është përgjigjja që Policia e Shtetit ka kthyer në këtë raport, si dhe drejtori i përgjithshëm, i cili në këtë shkresë i është përgjigjur pyetjeve të Avokatit të Popullit me tentativa për ta mashtruar jo vetëm atë, por edhe opinionin publik. Që nga momenti kur policia është urdhëruar nga prokuroria për të ekzekutuar vendimin e datës 20 tetor 2024, Policia e Shtetit, si asnjëherë më parë ka mobilizuar forcat e policisë kriminale dhe mënyra se si është organizuar ky operacion ka qenë totalisht represive. Sikur të kishim të bënim me një bandit apo organizatë terroriste. Policia ka angazhuar struktura të saj të paidentifikuara, si të ishte fjala për ndonjë person të rrezikshëm me precedentë kriminalë, jo për një ish-president.
Po flasim për nivele që i kalojnë edhe standardet e një shteti me prirje autoritare. Policia, e cila duhej të paraqitej me urdhrin e ekzekutimit dhe me letrën e të drejtave që parashikon Kodi dhe Kushtetuta, nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kanë vepruar vetëm me uniformë policie, pa u identifikuar me emër, numër policie, apo pa prezantuar urdhrin e ekzekutimit të lëshuar nga gjykata. Në këto kushte, Ilir Meta, duke marrë parasysh edhe raste të tjera ku qytetarë janë rrëmbyer nga persona me uniformë policie, nuk ka reaguar ndaj tyre, për arsye se nuk i është vënë në dispozicion as urdhri i ekzekutimit dhe as letra e të drejtave”, nënvizoi dje avokat Cakrani.
Blushi: Dumani intimidues dëshmitarësh, Braimllarit i dha ‘teserën’ e PS
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi hodhi akuza ndaj SPAK dhe kreut të saj, Altin Dumani. Sipas tij, Meta po mbahet në qeli për shkak të politizimit të SPAK dhe shantazhit që Prokuroria a e Posaçme ushtron ndaj gjyqësorit. Blushi theksoi se hetimi për Metën u urdhërua nga tribuna e Asamblesë së PS-së, duke thënë se deri më tani nuk është zbuluar asnjë provë që implikon Ilir Metën, edhe pse në fakt SPAK ka kopsitur dosjen dhe tashmë e ka marrë të pandehur.
“Presidenti i PL, prej 10 muajsh ndodhet në burg, jo për shkak të ligjit, por të politizimit ekstrem të SPAK dhe shantazhit institucional që SPAK ushtron mbi GJKKO përmes përgjimit të gjyqtarëve dhe familjarëve duke cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje. Nuk është zbuluar dhe paraqitur asnjë provë reale ligjore që të vërtetojë ndonjë veprim të paligjshëm të Metës. Pretendimi që është rënduar pozita e Metës, është mashtrim, pozita e tij është lehtësuar për shkak se nga dita e rrëmbimit ka rënë kauza e lobimit dhe ndërkohë edhe akuzat e tjera janë zhbërë. Është rënduar pozita e prokurorëve të SPAK, vlen të theksohet se i gjithë ky proces farsë i urdhëruar nga tribuna e asamblesë së PS, me hetime që kanë zgjatur mbi 6 vite, kanë nxjerrë në dritë të vërtetat e vetme, zero fakte penale, zero lekë të përfituara në shkelje të ligjin, zero pasuri të paluajtshëm të metës, zero dëshmitarë realë, se të fabrikuar ka plot dhe me mundësitë kriminale të Ramës mund të prodhohen pa fund të tillë”, deklaroi ai dje gjatë konferencës për mediat, krah avokat Kujtim Cakranit.
Më tej Z. Blushi u ndal edhe tek argumentet se përse Meta u la në qeli, pasi sipas SPAK e GJKKO ka rrezik të intimidojë dëshmitarët. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Blushi u shpreh se nuk ka asnjë dëshmitar të PL që e fajëson Metën, ndërsa akuza hodhi ndaj kreu të SPAK dhe Endrit Braimllarit që iu bashkua PS. “Dumani që flet për intimidim, mund të akuzohet si intimidues dëshmitarësh meqë një prej tyre i hyri në zyrë me teserën e PL dhe doli me teserën e PS madje edhe kandidat për deputet i Ramës në zgjedhjet parlamentare. Meta s’ka fuqi intimduese ndaj askujt. S’ka dëshmitar të PL që e fajëson Metën apo që e bën atë përgjegjës në raport me ligjin, manipulimi për të zbatuar porosinë e Ramës që donte Metën të izoluar në ekstremen, duke e keqpërdor SPAK si vegël”, nënvizoi Blushi.