Rusia vijon sulmet ndaj Kievit, 10 të vrarë, mes tyre 2 fëmijë! Dëmtohet zyra e BE-së

Në mes të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje, Rusia ka intensifikuar sulmet në Ukrainë. Gjatë natës, Moska shënjestroi me 629 dronë dhe raketa në Kiev, duke rikthyer sulmet që i kishte ndalur në kryeqytetin ukrainas pak ditë para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.
10 persona raportohet se janë vrarë, mes të cilëve dy fëmijë, ndërsa 48 të tjerë janë plagosur. Ndërtesa banimi u dëmtuan ndërsa sulmet prekën 20 zona të kryeqytetit. Një ndërtesë u shemb në rrethin Darnytski dhe një zjarr shpërtheu në një godinë banimi në rrethin fqinj Dnipro. Edhe një kopsht fëmijësh u përfshi nga flakët. E dëmtuar nga sulmet ruse mbeti edhe zyra e delegacionit të BE.
Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, dronë të shumtë Shahed-Geranë të telekomanduar kaluan kufirin dhe më pas u grupuan në dy grupe, duke u drejtuar drejt Kievit nga veriu dhe jugu. Pas mesnatës, u nis vala e dytë.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet i treguan botës përgjigjen diplomatike të Rusisë mes përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës.
“Rusia zgjedh balistikën mbi tryezën e negociatave”, tha Zelensky në X, duke bërë thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos, teksa publikoi dëmet e shkaktuara në në godiën e delegacionit, tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.
Ofensiva e natës duket të jetë një përgjigje ndaj fushatës ukrainase kundër rafinerive ruse, e cila ka dëmtuar dhjetë fabrikat më të rëndësishme të vendit: prodhimi i benzinës dhe naftës është ulur me 17 përqind, duke shkaktuar rritje çmimesh dhe vështirësi në furnizimin e stacioneve të karburantit.