Nga Julia Vrapi
Ndërhyrjet për rijetëzimin e shpellës së Spilesë në Himarë monument kulture i kategorisë së parë do të nisin në muajt shtator -tetor, ndërsa ndërtime që cënojnë statusin e saj mbrojtës janë të palejueshme. Një ditë më parë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit reagoi në lidhje me pamjet që po qarkullonin se shpella e Spilesë në Himarë është kthyer në lavazh, të paktën hyrja e saj, e cila është një monument kulture i kategorisë së parë. MEKI shprehet se ndërhyrjet në këtë shpellë do të bëhen me bazën e miratimit nga institucionet. “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon se, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë. Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj. Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ. Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet!”, shprehet MEKI në deklaratën e saj një ditë më parë.
Projekti në KKTKM
Ndërsa ndërhyrjet në këtë shpellë, që është monument kulture pritet të zhvillohen gjatë dy muajve të ardhshëm, MEKI deklaron se shpella do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale . “Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës. Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor”, thotë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Deklarimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit erdhi pasi ajo që po ndodhte në këtë shpellë që ka dhe status monumente kulture solli reagime të studiuesve e më gjerë për mbrojtjen e saj. Ajo është shpellë karstike, me thellësi mbi 30 metra, hyrje rreth 8 metra të gjerë dhe 7 metra të lartë, ndodhur rreth 100 metra nga vija bregdetare. Shpella e Spilesë është shpallur monument kulture, që në vitin 1963.
Shpella e Spilesë do të rijetëzohet, ndërtime abuzive që cënojnë monumentin janë të palejueshme
