Irani: Rikthimi i inspektorëve të AIEA nuk nënkupton rifillim të bashkëpunimit bërthamor

Rikthimi i inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (AIEA) në Iran nuk përbën ende një rifillim të plotë të bashkëpunimit për programin bërthamor të Teheranit, i pezulluar në korrik.
Kështu deklaroi të mërkurën ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke theksuar se ende nuk është përcaktuar një kuadër i qartë për vijimin e marrëdhënieve me agjencinë e OKB-së, raporton L’Orient Le Jour.
Shefi i AIEA-së, Rafael Grossi, njoftoi këtë javë se një ekip inspektorësh është rikthyer në Iran, pavarësisht pezullimit të bashkëpunimit nga Teherani pas sulmeve izraelite dhe amerikane të qershorit mbi instalacionet bërthamore iraniane. Irani ka akuzuar AIEA-në se nuk ka dënuar këto sulme dhe madje ka një pjesë të përgjegjësisë për shpërthimin e konfliktit, pasi miratoi një rezolutë kritike për programin bërthamor iranian një ditë përpara ofensivës izraelite.
Sipas Araghchi, rikthimi i inspektorëve lidhet kryesisht me monitorimin e ndërrimit të karburantit në centralin bërthamor të Busherit, por ai nuk bëri asnjë përmendje për impiantet e Fordo, Natanz dhe Isfahan, të cilat u goditën nga sulmet amerikane.
Grossi, në një intervistë për Fox News, rikujtoi se Irani është anëtar i Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore dhe për këtë arsye duhet të lejojë inspektime.
“Po diskutojmë për modalitetet praktike që do të na lejojnë të rifillojmë punën tonë atje”, tha ai.
Tensionet me Perëndimin dhe rreziku i sanksioneve
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për Iranin, i cili ka rifilluar bisedimet me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë. Tre vendet evropiane kanë paralajmëruar se mund të rikthejnë sanksionet ndërkombëtare ndaj Teheranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në fund të gushtit. Klauzola për riaktivizimin e sanksioneve, e parashikuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, skadon më 18 tetor.
Marrëveshja e vitit 2015 (e njohur si JCPOA) kufizonte ashpër aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes graduale të sanksioneve të OKB-së. Megjithatë, SHBA-të u tërhoqën nga pakti në vitin 2018 nën administratën e Donald Trump, duke rikthyer sanksionet amerikane dhe duke shtyrë Iranin të shkelë disa nga angazhimet e tij, përfshirë pasurimin e uraniumit përtej kufirit të lejuar prej 3,67%. Aktualisht, Irani është i vetmi vend pa armë bërthamore që pasuron uranium deri në 60%, shumë pranë nivelit të nevojshëm për krijimin e një arme bërthamore.
Moska, ndërkohë, ka propozuar në Këshillin e Sigurimit shtyrjen e afatit të aktivizimit të mekanizmit të sanksioneve deri më 18 prill 2026.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile dhe energjetike, ndërsa akuzat e Perëndimit dhe të Izraelit për ambicie ushtarake i cilëson si të pabazuara.