AKSHI i Mirlinda Karçanajt makineria e korrupsionit, nga 20 kontrata sekrete në 2008-2013, në 236 deri në 2018…

Vazhdon hetimi i gazetës Sot mbi keqpërdorimet e fondeve publike dhe mungesën e transparencës në institucionet shtetërore, dhe rasti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt del si një nga më shqetësuesit. Që prej vitit 2015, ky institucion ka shpërndarë miliarda lekë nëpërmjet tenderave të dyshimtë, ku dominojnë kontratat e klasifikuara si “sekret shtetëror”, gara me konkurrencë fiktive dhe fitues të dyshuar si të paracaktuar. AKSHI është kthyer në një mekanizëm prokurimesh me ritme dhe shifra marramendëse, ku kompania fituese shpesh dihet paraprakisht, ndërsa ofertuesit e tjerë shërbejnë vetëm për të justifikuar formalisht “konkurrencën”. Kjo situatë është lehtësuar nga përdorimi në rritje i procedurave të mbyllura dhe klasifikimit të kontratave si sekrete, duke kufizuar transparencën dhe llogaridhënien.
Të dhënat
Pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama (2013 e në vijim), përdorimi i klasifikimit “sekret shtetëror” në prokurime publike u rrit në mënyrë dramatike. Sipas të dhënave zyrtare, numri i kontratave të klasifikuara sekret u shtua eksponencialisht pas vitit 2014. Në periudhën 2008–2013 (qeverisja e mëparshme) u klasifikuan vetëm 20 kontrata gjithsej, ndërsa gjatë viteve 2013–2018 u klasifikuan 216 kontrata. Viti 2018 shënoi rekord historik me 76 kontrata sekrete, ku përfshiheshin edhe kontratat e AKSHI-t. Vetë AKSHI u shqua ndër institucionet civile për përdorimin e kësaj praktike, duke klasifikuar 18 tendera sekretë në 2017 dhe 28 të tillë në 2018 – një rekord i padëgjuar, po të kemi parasysh se edhe vetë agjencitë e inteligjencës klasifikuan shumë më pak kontrata gjatë atyre viteve. Statistika nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) tregojnë se deri në vitin 2018, autoritetet publike mbanin të klasifikuara 236 kontrata gjithsej. AKSHI, si një nga të paktat agjenci civile me të drejtë ligjore për tendera sekretë, kontribuoi ndjeshëm në këtë shifër. Për tenderat e klasifikuar nuk shpallet asnjë njoftim publik; i vetmi informacion i gjurmueshëm janë pagesat e regjistruara në thesarin e shtetit. Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se gjatë viteve 2019–2024 AKSHI ka kryer 1,122 transaksione thesari për kontrata sekrete, me vlerë totale rreth 6.64 miliardë lekë (afro 55 milionë €). Këto fonde janë kanalizuar zakonisht me negocim direkt dhe pa garë të hapur tek një grup i kufizuar kontraktorësh të certifikuar për informacione sekrete. Pra, një pjesë e madhe e parasë publike për ICT është alokuar në mënyrë jotransparente. Për pasojë, procedurat e hapura konkurruese nuk dominojnë praktikën e AKSHI-t; përkundrazi, një pjesë e konsiderueshme e fondeve jepen me procedura të kufizuara ose pa konkurrencë efektive (negocime të mbyllura, klasifikime), çka shpjegon edhe numrin tejet të ulët të ofertuesve mesatarë në tenderët e AKSHI-t.
Gara fiktive
Mungesa e konkurrencës reale është kthyer në normë në tenderimet e AKSHI-t. Të dhënat tregojnë se shpesh në garë paraqitet vetëm 1 ofertues real, ose konkurrenca është thjesht formale. Mesatarja e ofertave për tender në AKSHI është vetëm rreth 1–2 oferta, ndërkohë që mesatarja kombëtare është shumë herë më e lartë. Një fenomen shqetësues është “gara fiktive”, ku në letra figurojnë disa konkurentë, por në realitet vetëm njëri dorëzon ofertë të vlefshme. Kjo është vënë re në shumë raste vitet e fundit. Për shembull, në një tender të vitit 2020 për sistem monitorimi për inspektorët tatimorë (fond ~106 milionë lekë), u regjistruan dy kompani pjesëmarrëse, por vetëm njëra dorëzoi ofertë financiare – duke fituar kontratën me 94% të fondit limit. Kompania tjetër thjesht plotësoi numrin, pa paraqitur ofertë konkrete, çka nënkupton se fituesi ishte paracaktuar dhe gara u zhvillua vetëm sa për fasadë.