65% e transfertave bankare kryhen nëpërmjet internetit

Tendenca e zhvendosjes së pagesave bankare drejt kanaleve elektronike është theksuar më tej në tremujorin e dytë të këtij viti.Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 4.4 milionë transferta kreditimi (pagesa) të kryera nga klientët e sektorit bankar për tremujorin e dytë 2025, 65% e tyre ose rreth 2.85 milionë veprime në total u kryen në formë jo-letër.Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, kryesisht nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.Për të gjithë 6-mujorin 2025, pesha e veprimeve nga kanalet elektronike është rritur në 64% të totalit, ndërsa gjysmën e parë të vitit të kaluar ato përbënin rreth 59% të numrit të përgjithshëm të transfertave bankare.Transfertat elektronike kanë fituar një peshë të konsiderueshme edhe të matura në vlerë.Rreth 40% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 6-mujorin 2025 u krye nëpërmjet internet banking/mobile banking, nga 39% e që kishte qenë pesha e tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Në fund të vitit 2024, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.35 milionë, në rritje vjetore me 23%. Tashmë 39% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 34% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020.Afërsisht 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 23%, ndërsa për llogaritë e bizneseve rritje ishte edhe më e lartë, me 26% më shumë krahasuar me një vit më parë.Përdorimi i kanaleve online është i rëndësishëm për të kursyer kohë, por edhe për të mundësuar  një shfrytëzim më eficient të sporteleve të bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e  atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është ende e domosdoshme.Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri e ofrojnë shërbimet e internet banking. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të pagesave, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë.Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga lehtësitë tarifore të aplikuara me nismën e Bankës së Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision. Ndërkohë, për shumat më të mëdha, transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.Ndërkohë, në projektrregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, që pritet të miratohet këtë viti, Banka e Shqipërisë parashikon dyfishimin e vlerës së transfertave të kryera nëpërmjet internetit që përjashtohet nga komisionet bankare, nga 20 mijë lekë në 40 mijë lekë.Projektrregullorja e re ruan gjithashtu detyrimin për të aplikuar një nivel 50% të komisioneve për transfertat e kryera me internet banking, por ndërkohë ul nivelin e tyre bazë në përqindje.Për shembull, të gjitha transfertat e kryera me e-banking deri në vlerën e 1 milion lekëve nuk mund të ngarkohen nga bankat dhe institucionet financiare me një komision më të lartë se 50 lekë. / E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.