Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Sarandë, ku dy motra, Elvisa dhe Rozina Dhimaku humbën jetën, duke e cilësuar ngjarjen si një kambanë alarmi për gjendjen e rënduar të sigurisë rrugore në vend.
Sipas tij, numri i jetëve të humbura në rrugë është më i lartë se ai i viktimave nga veprat penale të tjera. Ai u ndal edhe te rasti konkret, ku drejtuesi i mjetit, i përfshirë në aksident, Kevi Norra rezultoi i alkoolizuar. Sipas Kodit Penal, dënimet për këtë lloj vepre variojnë nga 5 deri në 15 vite burgim, në varësi të rrethanave dhe vendimit të gjykatës.
“Janë jetë të humbura dhe këta janë të rinj. Këto vijnë për shkak të kësaj situate që kanë të bëjnë me sigurinë dhe në veçanti me qarkullimin rrugor, me aksidentet që ndodhin për shkak të drejtimit të gabuar të mjeteve. Numri i jetëve të humbura është më i madh sesa të gjitha veprat e tjera penale të krimit. Ky është një problem shqetësues.
Kjo ngjarje është një kambane alarmi, çdo mënyrë drejtimi e gabuar, përdorimi i alkoolit, narkotikëve vrasin jetë. Kjo ngjarje kërkon analizën nga struktura e policisë, por edhe institucionet që merren me menaxhimin e qarkullimit rrugor.
Po flasim një person që ka qenë i alkoolizuar, pas testit të parë ka qenë 0.51 dhe e dyta 0.40 e ca që është mbi kufirin. Ka një procedim penal për dy motive. E para quhet masa e dehjes dhe e dyta ka pasoja sepse ka shkaktuar viktima. Në të dy rastet ka masa gjoba deri në heqje lirie dhe heqje lirie që ka marrë jetë njerëzish. Masa e dënimit do të vijë dhe pasi të kalojë hetimi, pasi të kalojë në gjykatë, kodi e ka të përcaktuar nga 5-15 vjet heqje lirie”, tha Softa.
“Kjo është një kambanë alarmi”/ Aksidenti që i mori jetën dy motrave, reagon eksperti i sigurisë: Ja sa rrezikon…
