Pijet e gazuara mund t’iu shkaktojnë rënien e flokëve

Njerëzit që pinë më shumë pije me sheqer mund të kenë gjithashtu më shumë gjasa të përjetojnë rënie të flokëve, sipas një analize të kryer mbi studimet e viteve të fundit.

“Dieta dhe ushqyerja luajnë një rol vendimtar në shëndetin e flokëve, veçanërisht vitamina D dhe suplementet e hekurit, ndërsa kufizimi i alkoolit dhe pijeve të gazuara mund të jetë i dobishëm”, shkruajnë studiuesit nga Universidade do Porto i Portugalisë.
Përfundimet e tyre bazohen në gjetjet e mëparshme gjatë dekadës së fundit që tregojnë se konsumimi i pijeve me sheqer shoqërohet me një rrezik në rritje të rënies së flokëve tek burrat dhe se inflamacioni i shkaktuar nga konsumimi i këtyre ushqimeve ndihmon në këtë problem.

Vetëm 11 kanaçe pije me sheqer në javë, ose më shumë se 3,500 mililitra, i lanë të rinjtë në një rrezik më të lartë për rënien e flokëve të modelit mashkullor, sipas një studimi të vitit 2023 të cituar në analizën e re. Në atë kohë, autorët e Universitetit Tsinghua thanë se ishte e vështirë të përcaktohej një shkak dhe pasojë midis dy faktorëve sepse mbështetej në të dhënat e raportuara nga 1,028 pjesëmarrësit e tij.
Konsumi i pijeve me sheqer është lidhur gjithashtu me obezitetin, prishjen e dhëmbëve dhe probleme të tjera që kanë qenë të lidhura me rënien e flokëve.
Por, autorët portugezë vunë në dukje se zbulimi i vitit 2023 u mbështet nga një studim i vitit 2016 që zbuloi se konsumimi i ushqimeve të përpunuara që përmbajnë sheqerna të thjeshtë ishte një “faktor indirekt i lidhur me rënien e flokëve”.
Kjo për shkak se ushqimet stimulojnë prodhimin e sebumit të tepërt, substancës vajore që ne prodhojmë që hidraton lëkurën dhe flokët. Kjo çon në rritjen e baktereve në skalpin e kokës që mund të rezultojë në acarim dhe inflamacion, të cilat kontribuojnë në rënien e flokëve.
“Gjetjet sugjeruan që ndërhyrjet e synuara dietike mund të jenë të rëndësishme në parandalimin dhe menaxhimin e problemeve të flokëve si alopecia dhe rënia e flokëve. Megjithatë, nevojiten kërkime të mëtejshme për të thelluar kuptimin tonë të këtyre lidhjeve dhe për të zhvilluar rekomandime të bazuara në prova për promovimin e shëndetit të flokëve përmes të ushqyerit”, shkruan autorët.