“Kur ndjenjat marrin zë” rikthen Ermonela Jahon në TKOB, një udhëtim i rrallë muzikor me kryevepra botërore

Nga Julia Vrapi
“Kur ndjenjat marrin zë” rikthen sopranon e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një mbrëmje muzikore, që do të sjellë për publikun kryevepra botërore. Sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për të dhuruar për publikun shqiptar një mbrëmje të paharrueshme më 17 shtator. Teatri i Operës shprehet se në këtë mbrëmje shtatori publiku i pranishëm do të përjetojë një udhëtim të radhë muzikor. “Në këtë natë plot ndjenja dhe emocione, ajo kthehet jo vetëm si një artiste e jashtëzakonshme, por edhe si simbol krenarie për artin dhe kulturën shqiptare. Nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, njëkohësisht dhe drejtor artistik i Teatro “Massimo Bellini” në Catania, me korin dhe orkestrën e TKOBAP-së, publiku do të përjetojë një udhëtim të rrallë muzikor me kryevepra botërore nga Verdi, Bellini, Donizetti, Puccini, Cilea e të tjerë”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ku edhe vetë sopranoja e mirënjohur e ka ndarë në faqen e saj njoftimin për koncertin “Kur ndjenjat marrin zë” me kryevepra botërore. Në këtë koncert dirigjent kori do të jetë Dritan Lumshi. Ky koncert që do të jetë më 17 shtator shënon edhe rikthimin e artistes Jaho në TKOB një vit pas koncertit të fundit. Koncerti i mbrëmjes së 4 gushtit  2024 solli në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho, si dhe tenorin amerikan Charles Castronovo. Me një aktivitet të vlerësuar në skenat botërore, sopranoja Ermonela Jaho erdhi në këtë koncert me një program të pasur muzikor për publikun shoqëruar me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Koncerti në sezonin artistik
Në prag të sezonit të ri artistik që po nis në institucionet e artit dhe kulturës në vend, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po bën me dije dhe koncerte dhe shfaqjet e para, ku i pari do të jetë koncerti që rikthen në skenë sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho. Në aktivitetin e saj ndër vite, sopranoja Ermonela Jaho ka fituar shumë konkurse ndërkombëtare, përfshirë konkursin Giacomo Puccini në Milano, Itali 1997, Konkursin Ndërkombëtar Spontini në Ancona, Itali 1998, Zandonai në Rovereto, Itali 1999 dhe Çmimin e këngëtarit më të mirë të vokalit operistik në Festivalin e Wexford, 2000. Ajo ka performuar në shtëpi opere në mbarë botën, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National de Paris, Theatre des Champs-Élysées, Staatsoper Vienna, Bayerische Staatsoper, Opera Australia, Teatro Colon Buenos Aires, Gran Teatre del Liceu Barcelona, Teatro alla Scala. Në vijim të aktivitetit të saj ajo u shpall “Artistja e vitit 2023” nga “International Classical Music Awards -ICMA”.