Nga Julia Vrapi
Problemet strukturore në themele, dëmtimet në fasadë apo dhe në pjesë të tjera kanë sjellë dhe ndërhyrjet restauruese në dy kisha monument kulture në Dibër. Ndërhyrjet restauruese po vijojnë në Kishën e Shpërfytyrimit në fshatin Herbel Dibër, që është një nga më të vjetrat në Shqipëri, por edhe në kishën e Shën Sotirit në Kërçisht.
Kisha e Shpërfytyrimit është një vepër e arkitekturës bizantine, ku punimet po vijojnë me ndërhyrjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Kisha e Shpërfytyrimit në Herbel, objekt monument kulture paraqet probleme strukturore në themele, dëmtime në fasadë, etj, ku nga ndërsa ndërhyrja ky objekt kulti do ti rikthehet komunitetit. Kisha është shpallur monumente kulture që në vitin 1970, ndërsa ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja thotë se me ndërhyrjet që po kryhen një thesar i shekujve të hershëm po merr jetë të re! “Me ndërhyrjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, vijojnë punimet intensive për restaurimin e Kishës së Shpërfytyrimit në fshatin Herbel, një nga kishat më të vjetra monument kulture në Shqipëri, që daton në shek. XI-XII. Ringritja e kambanores dhe hajatit të jashtëm, restaurimi i çatisë, konsolidimi i muraturës, pastrimi i fasadës, si dhe punimet e brendshme do ta kthejnë këtë vend kulti në një nga perlat e trashëgimisë sonë”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në një postim në rrjete sociale, ku shton se Kisha e Shpërfytyrimit në Herbel, Dibër një vepër e vyer e arkitekturës bizantine po i rikthehet komunitetit dhe historisë sonë kombëtare. Punimet më herët sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore përfshinin ndërhyrje strukturore në themele, restaurimin e fasadave të dëmtuara, riparimin e çarjeve, restaurimin e dyshemesë me pllaka guri dhe ruajtjen e elementeve të vjetra të tavanit.
Restaurimi i pikturës murale
Punimet restauruese në Kishën e Shën Sotirit objekt kulti monument kulture në Kërçisht në Dibër janë drejt finalizimit. Ministri Gonxhja shprehet se punimet po kryhen me një proces të kujdesshëm restaurimi edhe të pikturave murale. “Falë punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, punimet restauruese në Kishën e Shën Sotirit janë drejt finalizimit, duke i dhënë jetë të re këtij monumenti me vlera të rralla historike, arkitektonike dhe shpirtërore. Konsolidimi i muraturës, restaurimi i çatisë dhe i territorit përreth janë shoqëruar me një proces të kujdesshëm restaurimi të pikturave murale, që sot shkëlqejnë sërish me gjithë hijeshinë e tyre. Një pasuri e paçmuar për trashëgiminë kulturore dhe për identitetin e zonës po i rikthehet shkëlqimit të dikurshëm”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale, që ka ndarë dhe pamje të kishës. Kisha e Shpërfytyrimit që ndodhet në fshatin Herbel është pjesë e itinerarit kulturor të kishave që ndodhen në Bashkinë Dibër në fshatrat përreth, duke përfshirë këtu dhe kishën e Shën Dhimitrit dhe të atë Shën Sotirit në fshatin Kërçisht.
Kisha e Shpërfytyrimit vepër e arkitekturës bizantine dhe ajo e Shën Sotirit në restaurim
