Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndërmarrë një veprim të paprecedentë në historinë 111-vjeçare të Rezervës Federale.
Trump njoftoi shkarkimin e Lisa Cook nga bordi i drejtorëve të Rezervës Federale. Presidenti amerikan, në një letër të postuar në Truth Social, e informonte Cook për vendimin e tij për ta shkarkuar atë nga bordi i guvernatorëve të bankës me efekt të menjëhershëm.
Ai tha se kishte “arsye të mjaftueshme” për të besuar se ajo kishte bërë deklarata të rreme mbi marrëveshjet e hipotekës dhe përmendi fuqitë kushtetuese të cilat, sipas tij, i lejonin ta shkarkonte atë.
Sipas letrës së Trump, Cook nënshkroi një dokument që vërtetonte se një pronë në Michigan do të jetë vendbanimi i saj kryesor për vitin e ardhshëm. “Dy javë më vonë, ju nënshkruat një dokument tjetër për një pronë në Gjeorgji dhe deklaruat se do të ishte vendbanimi juaj kryesor për vitin e ardhshëm. Është e pakonceptueshme që nuk ishe në dijeni të deklaratës tënde të parë kur bëre të dytën”, tha presidenti amerikan.
Nga ana e saj, në përgjigje, ajo deklaroi se nuk po jep dorëheqjen dhe se presidenti amerikan nuk ka autoritetin ta shkarkojë atë.
“Presidenti Trump pretendoi se kishte një arsye për të më shkarkuar, ndërkohë që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe asnjë autoritet për ta bërë këtë. Nuk do të jap dorëheqjen. Do të vazhdoj të kryej detyrat e mia për të ndihmuar ekonominë amerikane, siç kam bërë që nga viti 2022. Ai nuk ka të drejtë të më pushojë nga puna”, tha Cook në një deklaratë.
Rezerva Federale nuk ka komentuar ende mbi veprimin e Donald Trump. Lisa Cook është një nga shtatë anëtarët e bordit të guvernatorëve të Rezervës Federale dhe gruaja e parë afrikano-amerikane që shërben në atë pozicion.
Trump urdhëron shkarkimin e guvernatores së Rezervës Federale! Cook: S’ke të drejtë, nuk dorëhiqem
