Aksidenti me 2 viktima në Sarandë, 23-vjeçari i dehur në timon, vihet në pranga, parakaloi me shpejtësi, punonjës në…

Dy motrat Dhimaku, Elvisa 22-vjeçare dhe Rozina 20 vjeç studionin të dyja për mjekësi, njëra në universitetin publik dhe tjetra në privat në Tiranë. Më e madhja, drejtonte makinën Lancia, me motrën dhe një shoqe pasagjere. Rreth orës 20:15 të kësaj të diele që shkoi në aksin Sarandë-Delvinë, një Audi i përplasi fort, duke i lënë pa jetë dy motrat, ndërsa shoqja e tyre, 24-vjeçarja, Antonela Zhupa, gjendet ne spital jashtë rrezikut për jetën. Në timon, rezultoi të ishte një shofer i dehur, 24-vjeçari Kevin Norra.
Sipas hetimeve paraprake, ai bëri një parakalim të gabuar duke u përplasur kokë me kokë me makinën ku udhëtonin te rejat, në korsinë e tyre. Norra udhëtonte drejt Gjirokastrës, ndërsa Dhimaku në drejtim të Sarandës. Kevin Norra, i cili ngiste makinën ne gjendje te dehur punon specialist në Ministrinë e Brendshme. Nga testi i parë i alkoolit Kevin Norra rezultoi në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l. Niveli i alkoolit për të drejtuar makinën duhet të jetë zero, nëse del deri në 0.3 mg/l atëherë ndëshkimi nis me gjobë. Ndërsa nëse testi rezulton në masën 0.5 mg/l, shkohet direkt në arrestim në flagrancë, gjobë 40 mijë lekë dhe pezullim patente. “Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën  1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi Policia e Sarandës.  Audi fuoristradë, të cilin zyrtari i ministrisë e drejtonte me shpejtësi ka kryer një parakalim të gabuar në një zonë me vija të pandërprera dhe ka dalë përballë Lancias që drejtohej nga Elvisa Dhimaku. Kevin Norra u arrestua kete te hene dhe do të hetohet nga Prokuroria e Sarandës për veprat penale  “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Tragjedia ka tronditur fshatin Kopaçez të Delvinës, ku familja Dhimaku po përjeton humbjen e dy vajzave. Sipas banoreve, i ati, ruante bagëtitë dhe mblidhte sherebele ne mal për te rritur fëmijët mes shume sakrificave. Ata kane dhe nje djalë 10-vjeç. Jashtë kamerave, banoret tregojnë se motrat ishin nisur për një kafe në Sarandë, duke marrë me vete shoqen e tyre. Nëna dhe babai u kishin dhënë leje, por gjyshja u kishte thënë: “Mos ikni, se kam parë një ëndërr të keqe”.