Salmonela “ha kokën” e drejtorit të AKU në Tiranë, largohet nga detyra Fatjon Pasholli, ekspertët ngrejnë alarmin…

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Tiranë (AKU), Fatjon Pasholli është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është komanduar Alketa Hoxha, e cila ka mbajtur postin e drejtores juridike në AKU e Përgjithshme. Shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e hedhjes në treg të mishit të pulës me salmonelë, por edhe luleshtrydhe me pesticide, ndërsa kreu i AKU, Olsi Komici ka dalë i paprekur teksa vazhdon fushatën me PS i pashqetësuar. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për 2 vepra penale, shpërdorim detyre për 3 inspektorë të AKU që lejuan daljen në treg të filetove të kontaminuara, dhe për importim të ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, akuzë për të cilën policia shpalli në kërkim, Arben Goxhën, pronarin e kompanisë “AMG Food” që solli nga Brazili në total, 27 tonë mish pule të papërpunuar, të ndarë në 4 lote.
Më 11 mars AKU bëri kontroll rastësor në 1 prej 4 loteve që AMG solli nga Brazili, 1 kontejner me 8 ton mish. Përgjigjen nga laboratori i ISUV për praninë e salmonelës në mostrën e marrë, AKU e mori me 21 mars, ndërsa publikun e njoftuan 1 javë me vonesë. Ende sot e kësaj dite, AKU nuk ka thënë publikisht emrin e kompanisë importuese, që është AMG Food, dhe as nuk ka bërë të ditur se cilat janë 154 bizneset që blenë sasinë e mishit me salmonelë. AKU nuk ka dhënë urdhër të shkruar që biznesi të mos nxjerrë nga porti i Durrësit mishin pa pritur më parë përgjigjet e analizave, por thjesht e ka informuar se mori mostër. AKU është shprehur se pjesa më e madhe, gati 5 tonë është bllokuar ndërsa vijojnë kontrollet për të tërhequr çdo sasi nga tregu Fast Food-e, restorante e makete në 10 qarqe të vendit ku është shitur produkti, me përjashtim të Beratit dhe Lezhës.
AKU do të shkrihet
Megjithatë në mes të kësaj situate që po hetohet nga organet ligjzbatuese, sipas një ligji të miratuar në Kuvendi në shtator të 2024-ës, AKU pritet të shkrihet. Ligji i ri i inspektimeve përcakton se të gjitha inspektoratet e vendit do të shkrihen në vetëm 8 inspektorate qendrore, të cilat do të kenë të bëjnë vetëm me disa fusha specifike që Ministria e Sipërmarrjes do t’i caktojë në sajë të riskut.  Një nga këto 8 inspektorate qendrore do të ketë edhe një strukturë që do të trajtojë çështjet e ushqimit, që aktualisht e bën AKU, dhe që brenda vitit do të zëvendësohet me “strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve”. Ky ligj është publikuar në Fletoren Zyrtare më 13 nëntor dhe hyn në fuqi në 13 maj. Më tej institucionet kanë 6 muaj të plotësojnë aktet nënligjore, për të ngritur 8 inspektoratet e tjera.
Reagon ekspertja
Ndërkohë kujtojmë se nga dhjetori deri më tani skandali zë skandalin sa i përket sigurisë ushqimore. Pas mandarinave të kthyera nga Kroacia, salmonelës në mishin e pulës nga Brazili dhe se fundmi ngarkesa me luleshtrydhe me pesticide nga Greqia ngrihen shumë pikëpyetje mbi sigurinë ushqimore dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi. Në një lidhje dje për mediat ekspertja e sigurisë Ana Vuksani ia faturon përgjegjësinë mungesës së transparencës, mungesës së ekspertëve dhe korrupsionit. “Mungon kontrolli, mungon transparenca, mungojnë ekspertët e profesionistët, sepse në AKU përgjegjësi i sektorit për kontrollin e pesticideve në të gjithë Shqipërinë është teknolog ushqimor. Edhe në rastin e Tiranës nuk janë agronomë kemi mungesë transparence dhe korrupsion”. Sipas saj pesticidet janë shumë të rrezikshme se salmonela, e cila mund të kushtëzohet me marrjen e masave, ndërsa pesticidet, thekson Vuksani shkaktojnë dëme serioze afatgjata në organizëm nga deformimi i fetusit te sëmundjet kancerogjene.
“Skandali zë skandalin, njëherë mandarinat parazitët në peshk, salmonelën. Ne mund ta kushtëzojmë disi prekjen nga salmonela me marrjen e disa masave, kurse mbetjet e pesticideve në organizëm nuk kanë asnjë lloj kushtëzimi. Janë shumë më të rrezikshme nëse nga salmonela kemi një hëlmim ushqimor, këtu jemi të gjithë njëlloj se nuk ka shenja klinike të menjëhershme por shkakton dëme shumë seriozë në afat të gjatë që nga deformimi i fetusit, mutacione gjenetike, rënie të riprodhimit e sëmundje kancerogjene. Ne jemi kthyer në një magazinë ku çdo gjë që nuk të bën mirë futet në organizmin tonë”. Duke folur për ngarkesat me luleshtrydhe me pesticide nga Greqia, Vuksani theksoi se shqetësues është fakti që nuk ka informacion nga institucionet. “Kemi të bëjmë më 4 ngarkesa ne kemi informacion si gjithmonë mbas 2 muajve. Vetëm për ngarkesën e parë që ka qenë në 17 shkurt ne njoftohemi në 4 prill. Më shqetësues është fakti që nuk kemi asnjë informacion për sasinë e 3 ngarkesave. Unë dyshoj që ngarkesat e tjera kanë një sasi shumë më të madhe h bërë trendi që institucionet nuk japin asnjë lloj informacioni duke ekspozuar konsumatorët me riskun ndaj ushqimit. .
Sa i përket pesticideve kjo po bëhet si telenovelë. Ne e dimë për mandarinat në muajin dhjetor që ministria në tha që është asgjësuar, por ne sot e kësaj nuk kemi asnjë informacion për asgjësimin e tyre. AKU dhe nëse deri tani nëse nuk e dinte si të vepronte kishte rastin e mandarinave për të marrë masa që të mos ndodhte edhe te luleshtrydhet”. Ekspertja thekson se është e pamundur që të dallosh një produkt me pesticid nga një tjetër, por theksoi se ai mbetet edhe gjatë përpunimit. “Pesticidet që janë gjetur në luleshtrydhe janë hequr nga lista e BE se janë shumë të rrezikshme. Ka kaluar normën e lejuar. Ne kemi totalisht produkte që nuk lejon të tregtohen në BE. Pesticidi nuk ka lidhje me sezonin është si antibiotikët tanë, kur një bimë është e infektuar trajtohet me pesticid”. Gjoksani e drejton gishtin ndaj institucioneve përgjegjëse për këtë skandal i cili dëmton shëndetin e konsumatorit dhe sugjeron ngritjen e një Task Force.
“Duhen bërë një Task Forcë e përgjithshme. Thotë që janë kontrabandë por shteti i ka mekanizmat për ta luftuar nëse është pjesë e kontrabandës apo janë të mbetura në magazinat bujqësore. Rasti i fundit tregoi që janë pjesë e importit. Shteti ynë, sipas AKU-së se ato njoftimet nuk di as kush i bën se nuk qëndrojnë as si strukturë as si fjali. Kemi zero informacion se çfarë sasie kanë këto të treja sa është hedhur në treg? Analizat sa dalin me vonesë dhe gjendemi para faktit që është konsumuar. Kush mban përgjegjësi për gjithë këto probleme që i shkaktohen shëndetit tim si konsumator? Institucionet të kryejnë detyrën sa më transparent të jenë aq më të besueshëm do të jenë nga publiku tani po kuptojmë që ka shumë për të fshehur”.