Fëmijët që ekspozohen ndaj acetaminofenit, i cili gjendet në medikamentet si paracetamoli apo Tylenol, mund të kenë më shumë gjasa që të pësojnë çrregullime gjatë zhvillimit të sistemit të tyre nervor, si autizmi apo ADHD-ja (çrregullim me deficit të vëmendjes ose hiperaktivitet).
Studimi i Shkollës së Harvardit për Shëndetin Publik dhe Mount Sinai dhe autorë nga institucione të ndryshme, analizoi të dhënat nga më shumë se 100 mijë njerëz. Autori kryesor është dekani i fakultetit të Harvardit, i cili është po ashtu një profesor për lëndën e shëndetit mjedisor.
Studiuesit analizuan rezultatet e 46 studimeve të mëparshme me këta pacientë për të zbuluar lidhjen e mundshme midis përdorimit të acetaminophenit para lindjes dhe çrregullimet neurozhvillimore te fëmijët pas lindjes. Ekipet identifikuan se kur ishte përdorur paracetamoli – në tremujorin e parë, dytë ose tretë – apo gjatë gjithë shtatzënisë, duke bërë më pas lidhjen me dosjen mjekësore të nënave.
Paracetamoli është medikament që mjekët e japin për ethet e dhimbjet gjatë shtatzënisë, por mund t’i dëmtojë fëmijët dhe duhet përdorur rrallë, theksuan studiuesit.
“Duke qenë se ky medikament përdoret gjerësisht, edhe një rritje sado e vogël e rrezikut mund të ketë ndikim të madh në shëndetin publik. Rekomandojmë përdorim me masë të acetaminofenit, dozën më të vogël efektive në një kohëzgjatje sa më të shkurtër, sipas udhëzimeve të mjekut, në bazë të vlerësimeve individuale për rreziqet dhe favoret që mund të sjellë, dhe jo të kufizohet fare,” thonë studiuesit, duke shtuar se dhimbjet dhe ethet e patrajtuara po ashtu mund ta dëmtojnë beben.
Studimi këshillon që mjekët të rekomandojnë edhe mjekime që nuk përfshijnë përdorimin e lëndëve kimike mjekësore.
Vitin e kaluar, paracetamoli ishte në fokusin e një tjetër studimi në Univesitetin e Notingamit, që nxori se përdorimi i paracetamolit mund të sillte një rritje me 24 për qind deri në 36 për qind të rrezikut nga ulçera në stomak ose gjakosje në zorrë. Marrja e medikamentit po ashtu mund të rrisë rrezikun nga sëmundjet kronike të veshkave me 19 për qind, sëmundjet e zemrës me 9 për qind, dhe hipertensionin me 7 për qind. /Harvard, NDTV
Studimi: Përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun e autizmit, ADHD
