Politikat që janë ndjekur në fushën e artit dhe kulturës herë pas here kanë sjellë reagime të artistëve të ndryshëm, sipas të cilëve nuk ka zgjidhje të problemeve në jetën artistike. Organigrama e cunguar dhe e pamjaftueshme, funksionimi jo i duhur nga pikëpamja ligjore dhe buxheti i pamjaftueshëm janë disa nga problematikat me të cilat përballet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Dirigjenti i njohur Edmond Doko, me përvojë pune 25 vjeçare në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në intervistën për gazetën “SOT” thotë se nëse nuk zgjidhen problemet institucioni do të përjetojë krizë. Sa i takon funksionimit të institucioneve kulturore në vend, dirigjenti Doko sjell gjithashtu në vëmendje se një nga problemet ka qenë dhe përbërja e bordeve, ku përfshihen edhe njerëz që kanë pak dhe ndonjëherë aspak lidhje me specifikat e institucioneve dhe prej tyre nuk mund të presësh mendime profesionale. Ndër të tjera probleme që shprehet dirigjenti Edmond Doko është dhe reduktimi i numrit të Orkestrave Frymore, ku sipas tij këtu ndikuan jo vetëm financimet e pakta, por dhe vendimet politike të gabuara në nivele qëndror e lokal. Shqetësuese për dirigjentin Edmond Doko është dhe fakti që në ambiente të ndryshme mbizotëron vulgariteti muzikor, ndaj sipas tij është domosdoshmëri që kënga apo vallja autentike të jetë më prezente në programet e institucioneve publike artistike, të cilat duhet ti prezantojnë ato me profesionalizëm. Dirigjenti Doko shpreh dhe kritika për çfarë ndodh me vlerësimin e projekteve artistike nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Tiranë, ku sipas tij duhet të rishikojnë kriteret e vlerësimit të tyre. Disa kohë më parë u bë edhe promovimi i botimit “14 këngë popullore” për kuintet tunxhi i aranzhuar nga maestro Edmond Doko, i cili shërbeu dhe si frymëzim për koncerte. Edmond Doko autori i “14 këngëve popullore” këto thesare i ka risjellë me një gjuhë muzikore bashkëkohore. Në vijim të aktivitetit të tij, dirigjenti Doko thotë se këtë periudhë i është kushtuar sistemimeve përfundimtare të disa krijimeve të ngjashme me ato të librit të sapo botuar, por që janë për formacione të tjera të muzikës së dhomës.
-Muzika popullore lirike shqiptare erdhi në një format bashkëkohor në një koncert disa kohë më parë, ku u bë dhe promovimi i botimit “14 këngë popullore ” për kuintet tunxhi i aranzhuar nga ju. Si autor çfarë mund të na thoni më shumë rreth këtij botimi, pse zgjodhët që të përpunoni pikërisht këngë popullore lirike?
Gjatë viteve të karrierës 25 vjeçare si dirigjent permanent i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shpesh kam drejtuar koncerte të dedikuara këngës popullore të interpretuara nga këngëtarët tanë lirikë. Dihet që kemi trashëgimi të çmuar të këngëve popullore të përpunuara për vokale lirike. Këngë popullore të punuara për solistë e piano kemi konsiderueshëm, për solistë e orkestër simfonike jo mjaftueshëm e ndërkohë për formacione muzikore të tjera ky repertor është i mangut dhe cilësisht mesatar, për të mos thënë i papreferueshëm për t’u interpretuar nga instrumentistët. Për tu kthyer te thelbi i pyetjes suaj, zgjedhja e këngëve u “imponua” nga dëshira dhe nevoja e ansamblit muzikor të instrumenteve të tunxhit Albanian Brass Ansambel për repertor të tillë, domethënë si të thuash ishte një porosi e tyre. Fillimisht përpunova 6 – 7 këngë të njohura popullore, që i interpretuan nga ky ansambël në një projekt të veçantë e në vazhdim përsëri insistuan e kërkuan që të vazhdoja të përpunoja të tjera këngë popullore, e kështu arrita të përpunoj gjithsej 12 këngë popullore nga treva të ndryshme. Ndërkohë që shtohej numri i përpunimeve kuptova, që po përfshihesha në një proces krijues, (në rininë time kisha provuar të kompozoja në disa zhanre apo të orkestroja shpesh) ndjeva nevojën të konsultohesha e të siguroja një opinion të thelluar nga kompozitorë e muzikologë dhe prandaj ju drejtova kompozitorit Vasil Tole si dhe muzikologut Behar Arllati. Të dy më dërguan recenca profesionale pozitive, sigurisht dhe sygjerime të çmuara, të cilat i respektova, bile profesor Arllati më propozoi që të përpunoja dhe 2 këngë kosovare, të cilat i realizova dhe kështu numri i përpunimeve arriti në 14, numër konsiderueshëm mjaftueshëm për ti përfshirë në një botim që do ti vlente nxënësve, studenteve, instrumentistëve profesionistë dhe njëkohësisht do të ishte një mundësi e mirë për të promovuar muzikën e vërtetë popullore. Në përzgjedhjen e këngëve parapëlqeva të përfshij këngë nga treva të ndryshme, të cilat përtej diversitetin meloritmik, dinamik e morfologjik, të kishin të përbashkët karakterin lirik, që është një karakteret thelbësore të këngës popullore shqiptare. Dua të theksoj jam ndjerë shumë mirë që instrumentistët e Albanian Brass i interpretuan me entuziazëm këto përpunime në Prishtinë e Tiranë dhe vazhdojnë ti kenë pjesë të repertorit në aktivitetet e tyre. Botimi i librit u mundësua nga mbështetja bujare e Operës së Republikës së Kosovës, të cilën e falenderoj përzemërsisht, ndërkohë që Bashkia Tiranë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nuk mbështetën as botimin dhe as koncertin promovues që u realizua në bashkëpunim COD e që u përcoll me mjaft interes. Për të qenë i drejtpërdrejtë vlerësoj se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Tiranë duhet të heqin dorë nga mbështetjet klinteliste apo dhe korruptive siç dhe së fundmi provohet dhe të rishikojnë me themel kriteret e vlerësimit të projekteve artistike. Faktet, jo thjesht mendimi im, sygjerojnë reformin me themel të mënyrës si duhen seleksionuar, vlerësuar, mbështetur financiarisht, por sidomos si duhen monitoruar realizimet e projekteve artistike të pavarura apo dhe projektet e institucioneve artistike qëndrore apo lokale. Është një çështje e ndjeshme dhe uroj që të përfshihen në axhendën e reformave të pritshme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkisë Tiranë.
-Në materialin rreth “14 këngë popullore” ju ndër të tjera shpreheni se orkestrat frymore janë trashëgimi e vyer e kulturës. Çfarë mund të na thoni më shumë për rëndësinë e këtyre formacioneve muzikore dhe pse u reduktua numri i tyre ndër vite?
Arsyet sepse u reduktua numri i Orkestrave Frymore janë pjesërisht të njohura, por sa më shumë kalojnë vitet, përtej vështirësive kryesisht te karakterit financiar, bindem se janë vendimet politike të gabuara në nivele qendror e lokal, të shoqëruara nga apatia e komuniteteve artistike si dhe me përjashtime, nga mos interesi i përgjithësisht i komuniteteve qytetare. Them me përjashtime, sepse në qytete me tradita të hershme e të qëndrueshme si Shkodra, Berati, Korça, Elbasan e në ndonjë qytet tjetër orkestrat frymore janë aktive, pavarësisht problematikave që kërkojnë zgjidhje. Mos harrojmë që deri në 1990 pothuaj në çdo qytet funksiononte një orkestër frymore. Përpjekjet për rizgjim e rivitalizim të kësaj tradite me vlera të fuqishme kulturore nuk kanë munguar, por në mungesë të mbështetjes që duhet të buronte nga strategji të qarta politike, mbështetje financiare ky rizgjim e rivitalizim ka rezultuar i pamundur. Po jua konkretizoj: në vitin 2005 me disa kolegë krijuam Klubin kombëtar të Orkestrave frymore e në vazhdim organizuam disa festivale të Orkestrave frymore në qytetin e Sarandës, disa masterclasse ndërkohë që kisha krijuar dhe Orkestrën frymore të Bashkisë Tiranë. Festivali u shndërrua vit pas viti në ndërkombëtar dhe pikërisht pasi ai hyri në një fazë konsolidimi Ministria e Kulturës, gjatë kohës që drejtohej nga ministrja zonja Kumbaro reduktoi në minimum financimin e festivalit. Po në të njëjtin vit ish kryetari i Bashkisë Sarandë zoti Stefan Çipa për habi nuk dëshiroi që festivali të zhvillohej në Sarandë, një vendim që në thelb nuk dëmtoi vetëm festivalin, por vetë qytetin e Sarandës. Mjaftuan këto dy vendime që festivali i bandave muzikore të mbyllte aktivitetin, ndërkohë që “banditët” e vërtetë u shtuan dhe ja ku jemi: – për të krijuar një ambient sa më të bukur, entuziast në prezencë të ministres së Turizmit zonjë Kumbaro ndërkohë, në hapjen e sezonin turistik në një qytet u ftua të performojë një bandë nga ishulli fqinj i Korfuzit dhe online i kënaqur kryeministri duke ndjekur këtë performin bisedon me ministren dhe e porosit: Shumë bukur kjo bandë muzikore…të shikojmë mundësitë që të kemi dhe ne të tilla banda…etj!!!!…ironike….ishte pikërisht kjo ministre që i dha një dorë shkatërrimit të kësaj tradite. Nuk dua të zgjatem, por ndjej keqardhje që kjo traditë e hershme, e përhapur anekënd qyteteve sot është pothuaj inegzistente. Rizgjimi dhe rivitalizimi i Orkestrave frymore për mua vazhdon të mbetet një imperativ. Mbase kolegë më të rinj do te iniciojnë iniciativa të reja dhe ministria dhe bashkitë do të vlerësojnë se projekti i rizgjimit e rivitalizimit të Orkestrave frymore në të vërtetë është nevojë që i vlen kulturës qytetare, që i bën qytetet tona relevante me qytetet europiane.
-Në ambiente të ndryshme serviret turbofolku e tallavaja si muzikë popullore, por sa dëmton kjo në krijimtarinë popullore?
Është fakt i hidhur që publiku është i bombarduar me tallava importi apo turbofolke diletante. Kjo muzikë e bërë sfondi “gri” i trendit argëtues masiv që mbizotëron në ambientet e ndryshme publike, në Radio, TV e rrjete sociale e që kësisoj ka ndikim mjaftueshëm të lartë në publik. Nuk e teproj të them që në argëtimet popullore tradicionale si dasmat apo festa të ndryshme familjare apo komunitare kënga tradicionale popullore mungon gjithnjë e më tepër, ndërkohë, që muzika vulgare e ashtuquajtur popullore mbizotëron. Këtu nuk e kam fjalën për prezencën e DJ apo përdorimin e përfshirjen e përmirësimet e sistemeve audio apo efekteve skenike që natyrisht janë pjesë e çdo lloj performance që zhvillohen në ambiente të ndryshme, e kam fjalën për repertorët muzikore që përdoren. Mbizotëron vulgariteti muzikor dhe gjithnjë e më tepër mungon kënga apo vallja mirëfilli tradicionale, dmth shqiptare. Prandaj është domosdoshmëri që kënga apo vallja autentike të jetë më prezente në programet e institucioneve publike artistike, të cilat duhet ti prezantojnë ato me profesionalizëm, përpunuar e paraqitur me teknika bashkëkohore tingëllimi, duke shfrytëzuar aftësitë e mundësitë shprehëse të këngëtarëve, instrumentistëve, me harmonizime të thelluara e formate të reja krijuese, pa u larguar nga tingëllimet bazike burimore. Kjo nga njëra anë i bën këngët popullore të këndshme për t’u dëgjuar, dhe nga ana tjetër i propozohet publikut muzike e kultivuar kombëtare.
-Si dirigjent në reagimet tuaja ju herë pas here keni sjellë në vëmendje problemet, që janë në fushën e muzikës, ku sipas jush duhet të dëgjohet zëri i profesionistëve. Sa është dëgjuar nga institucionet përballë problemeve me të cilat përballet krijimtaria?
Jetojmë në një kohë ku të gjithë flasin me kompentencë për gjithçka, gjeologu për gjuhët, inxhinieri për historinë, arkitekti për muzikën, piktori për zanafillën e botës e kështu me rrallë…ky është një fenomen që rëndom ka fituar hapësira të konsiderueshme ndër panele televizive, në rrjete sociale, etj. Çoroditja e shoqërisë ka marrë përmasa qesharake deri në kufijtë e groteskut. Që dhe media ka rol në promovimin e gjithologëve apo gjithologologjisë kjo nuk do as mend e as kalem që ta konstatosh. Problemi bëhet dhe me shqetësues kur në institucione (në këtë rast e kam fjalën për institucionet kulturore) përfshihen në borde, jo rrallë dhe në pozicione drejtuese njerëz që kanë pak dhe ndonjëherë aspak lidhje me specifikat e institucioneve dhe janë aty për shkak të lidhjeve apo besnikërive politike. Kështu që prej tyre nuk mund të presësh mendime profesionale. Do të presësh gjithologji dhe aspak mendime profesionale specifike. Në panele më shumë flitet për ngjarjet artistike, për evente, flitet për artistë, vetëpromovohen artistë, por mungojnë panele ku përshfaqen opinione, mendime apo debatohet për artin, për orientimet, fenomenet artistike apo dhe për politikat që duhet të orientojnë zhvillimet në fushën e artit e trashëgimisë kulturore. Meqenëse më jepet rasti po ngre 2-3 probleme që mbase ndonjë sy ministror i verën nëse lexon të paktën rreshtat më poshtë: TKOB ka disa nevoja emergjente që në mënyrë të përmbledhur po i rendis: Rishikimin e ligjit të pensioneve, rishikimin e organigramave, plotësimin e tyre sipas standarteve europiane, shtimi i organikës së Orkestrës Simfonike (është orkestra më e vogël e Ballkanit) dhe sigurisht dhe rishikimi i mënyrës së financimit të produksioneve skenike ndërkohë që me buxhetet që akordohen realizimi i produksioneve nuk mundësohet. Këto buxhete janë disa herë më të pakta se sa buxhetet e Operës së Kosovës. Ministria mjaftohet me ndërrimin e drejtorit të përgjithshëm, ndërkohë që prej një viti në TKOB nuk ka as dirigjent permanent dhe as drejtor artistik. Nuk besoj se në ministri nuk njihet ky realitet, por nuk shoh vullnet për zgjidhje. Natyrisht ka shumë probleme të tjera, por solla në vëmendje ato që mendoj që janë më të rëndësishme. Me këtë rast përshëndes dhe vendime siç ishte rritja e konsiderueshme e pagave apo dhe rikonstruksioni i godinës. Por mungesa e drejtorit artistik dhe pamfajtueshmëria e buxheteve kushtëzon apo cungon kalendarin artistik. Nëse nuk zgjidhen këto problematika Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të përjetojë krizë.
-Sipas jush sot çfarë duhet bërë më shumë nga institucionet për zhvillimin e krijimtarisë muzikore shqiptare?
Në këtë pikë mendimet i kam të rezervuara për shkak se mendoj se është një pyetje që më mirë, më drejt e në mënyrë shteruese mund ti përgjigjen kompozitorët, që janë dhe më të interesuar për fatet e krijimtarisë së tyre. Në dijeninë time ministria në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) ka organizuar konkurse për krijimtarinë muzikore dhe janë realizuar dhe performime të veprave fituese.
-Projekti artistik i radhës në vijim të aktivitetit tuaj?
Së afërmi kam një koncert jo në Tiranë dhe këtë periudhë i jam kushtuar sistemimeve përfundimtare të disa krijimeve të ngjashme me ato të librit të sapo botuar, por që janë për formacione të tjera të muzikës së dhomës.
Intervistoi: Juljana Vrapi
