“Drejtësi në Nuremberg”  dhe “Det i thellë blu” në skenën e Teatrit Kombëtar në sezonin e ri artistik 2025-2026

Nga Julia Vrapi
Sezoni i ri artistik do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar edhe një dramë mbi tragjedinë naziste dhe një mbi dashurinë dhe humbjen. “Drejtësi në Nuremberg” shkruar nga Abby Mann është një dramë mbi tragjedinë naziste dhe përgjegjësinë morale të individit, që do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 të Teatrit Kombëtar me regji nga Arben Kumbaro. Pjesë e veprave këtë sezon të ri artistik është dhe drama “Det i thellë blu” nga Terence Rattigan. Një dramë rrënqethëse mbi dashurinë dhe humbjen, vepër teatrore që do të vijë  në skenë me regji nga Rovena Lule. Këto dy vepra si pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 bëhen me dije nga vetë Teatri Kombëtar, ndërsa në role do të jenë aktorë të njohur.
Në veprën me regji nga Rovena Lule bëhet me dije nga teatri se në role janë aktorët Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Florian Agalliu, Niada Saliasi, Donald Shehu. Por sa i takon sezonit të ri që pritet të nisë në muajin shtator më parë Teatri Kombëtar bënte me dije edhe për vepra nga Shekspir si premiera teatrore. “Si ta doni”, një komedi romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare do të vijë në skenë në sezonin e ri me regji të John Blondell. Kjo komedi që do të jetë pjesë e sezonit artistik do të ketë në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Por në sezonin e ri artistik është dhe “Otello”, veprën nga William Shakespeare do ta sjellë në skenë regjisori Qëndrim Rijani. Në aktivitetin e tij si regjisor Qëndrim Rijani ka sjellë në skenën teatrore edhe të tjera vepra të Shekspirit, si “Tregtarin e Venedikut” në Korçë, “Makbeth” në Kosovë apo dhe “Jul Cezari” në Kroaci, ndërsa në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar  vjen me veprën “Otello”.
 Sezoni artistik janar-qershor
Tetari Kombëtar sezonin artistik janar-qershor 2025 e mbylli me 20.236 spektatorë. Ndër veprat që ishin në skenë sezonin e kaluar ishte dhe “Faust”. Sezoni i ri artistik në vjeshtën e vitit 2024 në Teatrin Kombëtar pati në skenë edhe premierën “Faust” me regji nga Davide Iodice dhe me një kast aktorësh të njohur në role, e cila në qershor 2025 u rikthye sërish në skenë te “ArTurbina”. Vepra teatrore “Faust” erdhi në skenë me aktorët Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi dhe Genti Deçka. Kjo premierë teatrore ishte prodhim i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me Sardegna Teatro dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Teksti Fabio Pisano ( i frymëzuar nga Marloëe, Spies, Goethe), përkthimi Ina Gjonçi, përshtatja, regjia dhe skenografia e kostumet Davide Iodice. Bashkëpunimi për skenografinë dhe kostumet Laedia Hajdari. Muzika origjinale Lino Cannavacciuolo dhe as/regjisor Genti Deçka.