Muzeu Arkeologjik në Durrës pas restaurimit pritet që të hapë dyert në vjeshtën e këtij viti, por Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e quan të pajustifikueshme zvarritjen që është bërë me punimet e tij. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ndër të tjera shprehet se Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk do të jetë kurrë i plotë nëse nuk do të rikthehen objektet historike të rrëmbyera gjatë viteve. “Lajmi se Muzeu i Durrësit do të hapet është i shumëpritur. Ka vite që ky muze qëndron i mbyllur, duke krijuar një boshllëk të madh në mundësitë e vizitueshmërisë në qytetin e Durrësit. Kryeministri me të drejtë e jep këtë lajm si një shenjë të rëndësishme të trashëgimisë së Durrësit, por mund të themi se zvarritja e pajustifikueshme disavjeçare është bërë nga institucionet e kulturës, të cilat nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik. Me këtë rast mund t’i kujtojmë kryeministrit se nga ky muze janë vjedhur gjatë viteve një numër i madh objektesh arkeologjike, të cilat shteti shqiptar ka detyrimin ligjor dhe moral t’i kërkojë dhe t’i rikthejë përsëri në Shqipëri. Muzeu i Durrësit nuk do të jetë kurrë i plotë nëse nuk rikthen objektet historike të rrëmbyera”, shprehet Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në faqen e tij, ku ka ndarë dhe disa foto nga muzeu me objekte. Muzeu i është nënshtruar një procesi restaurimi me fondet e BE-së dhe është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Muzeu Arkeologjik në Durrës që është në restaurim është dhe më i madhi në vend me një koleksion të gjerë artefaktesh të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë: Institucionet e kulturës nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik
