Nga Julia Vrapi
Hapësirat publike duhet të pasurohen edhe më shumë me vepra arti, por herë pas here kanë sjellë dhe diskutime mbi realizimin e tyre dhe nivelin artistik. Artistë të ndryshëm janë shprehur se problemet janë që me këshillat që vendosin miratimin e tyre, ndërsa i janë drejtuar institucioneve që të jenë me profesionistët më të mirë të fushës. Jo vetëm në Tiranë, por dhe më tej ka pasur vepra arti që janë bërë objekt diskutimi mes artistëve, studiuesve e më gjerë, ndërsa për skenografin e njohur Bashkim Zahaj përballë problemeve që hasen duhet të krijohet një këshill kombëtar artistik për aprovimin e tyre në hapësirat publike.
Skenografi Bashkim Zahaj në një reagim të tij së fundmi i drejtohet dhe kryeministrit Edi Rama për krijimin e një këshilli kombëtar, pasi sipas tij vendosja e veprave të artit në publik ka një rëndësi të veçantë. “Z. Kryeministër! Është emergjente vendosja e një këshilli kombëtar artistik për aprovimin e veprave të artit në publik. Personalitete të fushës dhe me begraund të pasur në art. Nuk mund të lihet në dorë të bashkive, duke ditur se ato jo gjithmonë në këshillat bashkiake vendosin persona profesionistë dhe jo vetëm kaq, por vendosja e veprave të artit në publik ka rëndësi të veçantë me aspekt kombëtar për vlerat që pasqyrojnë”, shprehet Bashkim Zahaj skenograf, i cili herë pas here me reagimet e tij ka sjellë në vëmendje probleme të ndryshme që janë në jetën artistike e kulturore në vend.
Problemet në art
Skenografi Bashkim Zahaj ndërsa shpreh shqetësimin për çfarë po ndodh me vendosjen e veprave të ndryshme të artit në hapësirat publike thotë se me kalimin e viteve do të kemi një art të bastarduar. Sipas tij jo vetëm në kryeqytet ka vepra që nuk janë dinjitoze, ndërsa ka publikuar dhe foton e një vepre ku shprehet për nivelin e saj artistik. “Me kalimin e viteve po të ndiqet kjo praktikë e deritanishme do kemi një art të bastarduar në duar dhe memorie të brezave që vijnë. Shembujt gjenden edhe në Tiranë me vepra aspak dinjitoze. Vepra në fjalë duhet të hiqet urgjent si një vepër me nivel të ulët artistik deri në qesharake.
Ndjesë për autorin, por ai është i pafajshëm”, thotë skenografi Bashkim Zahaj në një reagim të tij që e ka ndarë edhe në Facebook. Bashkim Zahaj që edhe më parë ka sjellë në vëmendje probleme që janë mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet tona të artit dhe kulturës në vend dhe çfarë duhet përmirësuar, një nga shqetësimet e tij ka qenë dhe krijimi e përbërja e bordeve të ndryshme. Më herët Zahaj ka shprehur se duke qenë se jemi një vend i vogël me pak artistë me një bagazh dhe me një eksperiencë të madhe institucionet në vend duhet të kishin shumë nevojë për fjalën dhe mendimin e tyre. Sipas tij, e vetmja arsye që artistët trokasin në dyert e institucioneve në vend nuk ka lidhje me interesin vetjak, por ka interes vetëm për zhvillimin e artit.
Bashkim Zahaj: Për aprovimin e veprave të artit në publik është emergjente krijimi i një këshilli kombëtar artistik
