Nga Julia Vrapi
“Çfarë pa kryeshërbëtorja”, një festë komike që kalon çdo kufi! Komedia vjen premierë në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Veprën e autorit Joe Orton e sjell në skenë regjisori Kiço Londo. Ishte një ftesë e bërë nga teatri i Elbasanit, që regjisori Kiço Londo të niste punën për këtë shfaqje teatrore, që vjen me një kast aktorësh të njohur për publikun dhe që premtojnë një spektakël në skenë. Shfaqja është produksion i teatrit “Skampa” të Elbasanit, por për Kiço London në aktivitetin e tij si regjisor është premiera e 50-të. “Çfarë pa kryeshërbëtorja” edhe pse e shkruar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, sipas regjisorit të mirënjohur Kiço Londo ajo mbetet aktuale dhe për kohën që jetojmë.
“Në vepër i kam mëshuar kaosit, pushtetit, familjes, marrëdhënieve prind-fëmijë edhe seksit. Vepra edhe pse e shkruar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar tingëllon shumë bashkëkohore dhe për këtë është punuar shumë”, thotë regjisori Kiço Londo. Në skenë interpretojnë aktorët: Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjëll Hoxha, Livjon Aliaj. Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” do të jetë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan në datat 11, 12, 13, 14, 15, 16 prill në orën 19:00. Regjisori Kiço Londo ndërsa shprehet për punën që është bërë për të sjellë këtë komedi premierë në skenë, tregon dhe ku qëndron e veçanta e saj në aktivitetin e tij me teatrin. “Komedia është produksion i teatrit të Elbasanit. Ishte një ftesë nga ky teatër, në role aktorë të këtij teatri dhe me një përzierje me aktorë të Teatrit Kombëtar edhe të Teatrit Shëtitës “Çajupi”. Kjo është premiera e parë e teatrit të Elbasanit këtë vit. Por në karrierën time si regjisor kjo është premiera e 50-të në skenë”, thotë regjisor Londo.
“Çfarë pa kryeshërbëtorja”
Në komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat skizofrenike të një psikiatri, me një sekretare të zhveshur e të fshehur pas perdes së krevatit, zonjë elegante e mbytur në alkool dhe përqafime të paligjshme, profesor i psikiatrisë me fantazi surreale që prish rrjedhën e ngjarjeve dhe polici që hyn në hapësirën e tyre…Dhe e gjithë kjo në një mjegull të krijuar nga puroja e Çurçillit… Vepra e autorit Joe Orton që vjen në skenë nga Londo është përkthyer nga Artur Lena.
Në materialin e teatrit rreth komedisë thuhet se Orton sjell pasionet, pritshmëritë romantike, fotot rozë, epshet e nxehta, rastet e shpërdorimit të pushtetit, thurjen e marrëdhënieve të çuditshme dhe komplekse të gjashtë njerëzve në një hiperrealitet, të botës tjetër, e butë, por thellësisht prekëse dhe e vërtetë. Teatri “Skampa” i Elbasanit shprehet se kjo shfaqje është një eksperiencë teatrale unike. “Një përzierje tronditëse, sensualiteti dhe humori, që do t’ju mbajë të mbërthyer nga fillimi deri në fund !”, thuhet nga teatri. Në shfaqje drejtor ekzekutiv Kliton Kapaj, m. produksioni Zhaneta Ruçaj, kostumografia Ersa Kana, dekori Fabio Rapushaj, shef teknik Maksim Qosja; ekipi pas skenës: as. regjisor Olgert Mataj, as. kostumografe Klara Fyshku, ndriçimi Helidon Gremi, audio Ali Zena dhe Met Çera.
Në datat 11-16 prill, komedia e çmendur “Çfarë pa kryeshërbëtorja” në teatrin “Skampa” të Elbasanit
