Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se brenda dy javësh do të bëjë të ditur pozicionin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se ka dy opsione të mundshme:
“Dëshiroj të shoh fillimisht nëse presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të takohen. Më pas do të marr një vendim se çfarë do të bëjmë, dhe do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm. Ose do të jenë sanksione dhe tarifa masive. Ose nuk do të bëj asgjë dhe do t’iu them: ‘Kjo është lufta juaj’.”
Trump më herët ka theksuar se Shtëpia e Bardhë po punon për të ndërmjetësuar një takim mes Putinit dhe Zelenskyt, me synimin për të diskutuar për përfundimin e luftës. Një takim trepalësh, sipas tij, do të përfshinte të dy udhëheqësit, ndërsa Trump do t’i bashkohej më vonë atij takimi.
Ndërsa njoftoi se shorti për Kupën e Botës 2026 do të mbahet në Uashington në dhjetor, Trump deklaroi se Putin mund të marrë pjesë në këtë ngjarje:
“Putini do të dojë shumë të jetë aty dhe mund të vijë ose mund të mos vijë, në varësi të rezultatit të përpjekjeve për paqe në Ukrainë.”
Ekipeve ruse u është ndaluar të marrin pjesë në Kupën e Botës dhe në garat e tjera ndërkombëtare sportive për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, Trump shprehu pakënaqësi për një sulm të kryer nga Rusia më 21 gusht ndaj një fabrike në pronësi amerikane në Ukrainë. Disa punëtorë u plagosën në këtë sulm, që kishte në shënjestër një nga investimet më të mëdha amerikane në Ukrainë.
Sulme të tjera janë raportuar në mbarë vendin, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.
/vizionplus.tv

Leave a Reply