Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore zhvilluan një koncert në sheshin kryesor të qytetit të Kavajës, me tingujt dhe vallet më të bukura nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se publiku i Kavajës përjetoi një mbrëmje të paharrueshme nën tingujt e traditës shqiptare, ku Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore mbushi me gjallëri sheshin kryesor të qytetit. Por momente magjike nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore edhe në zemër të Laçit, Kurbin. “Atmosfera u mbush me tingujt, vallet dhe shpirtin e traditës sonë të çmuar”, thuhet nga TKOBAP.
Folklori ynë është i pasur dhe me interpretimin e artistëve të Ansamblit Popullor përcillet kjo trashëgimi e jona kulturore, ku këto ditë artistët zhvilluan koncerte në Kavajë dhe Laç. Koncerte të ndryshme janë zhvilluar nga artistët në sezoni artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërsa përgjatë stinës së verës koncertet po zhvillohen jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë. Në Vajzë- Vlorë koncerti i Ansamblit Popullor do të zhvillohet në datë 24 gusht në mbrëmje. Turi koncertor këtë muaj nisi nga Elbasani, ku Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ndezi atmosferën me tingujt dhe vallet më të bukura nga të gjitha trevat. Qytetarë dhe vizitorë u mblodhën në shesh për të shijuar më shumë se dy orë këngë, valle popullore që erdhën me interpretimin e artistëve të Ansamblit Popullor.
Ansambli Popullor me koncerte në Kavajë dhe Laç, tingujt dhe vallet më të bukura nga të gjitha trevat e Shqipërisë
