Nga Julia Vrapi
Kritika profesionale në fushën e artit është ajo, e cila udhëheq publikun drejt vlerave artistike, por sot mungon. Në krijimtari ka prurje të ndryshme dhe aktivitete zhvillohen përgjatë gjithë vitit, por për artistët me rëndësi është dhe kritika profesionale në fushën e artit. Sipas tyre mungesa e kritikës profesionale në art bën që njerëzit të orientohen keq në perceptimin e vlerave artistike. Piktori Adrian Devolli, i cili herë pas here flet për problemet që janë në fushën e artit dhe kulturës, vështirësitë me të cilat përballen artistët në aktivitetin e tyre artistik, thotë se edhe me mungesën e kritikës në art nuk dihet kush janë artistët e vërtetë dhe kush punon.
“Kritika profesionale në fushën e artit mungon. Kritika në art fatkeqësisht nuk ka si të ndihet fare sot. Edhe pse dikur ishte diktaturë e kishte një gazetë “Drita” dhe aty kishte edhe mendime kritike, mendime estetike, etj. Sot nuk ka më një botim që duhet të jetë dhe nga institucionet e mbështetur, duke mos pasur është një mangësi e madhe, sepse mungesa e kritikës në art dhe mungesa e debatit artistik në televizion bën që njerëzit të orientohen keq në perceptimin e vlerave artistike”, thotë piktori Adrian Devolli. Ndër të tjera piktori Adrian Devolli sjell në vëmendje se duhet të gjykim profesional për atë që shihet në prurjet artistike dhe jo të ketë vetëm fjalë.
“Një pjesë e artistëve këtu nuk punojnë. Këta artistë për të mbajtur një lloj pozicioni të vetin i duhen fjalë. Unë nuk gjykoj mbi atë çka flitet, por gjykoj mbi çka shoh”, vijon më tej piktori Devolli. Jo vetëm që për artin pamor, në fushën e muzikës, etj, mungon kritika profesionale, mendimi i studiuesve, por Devolli thotë se pasojat e mungesës së saj do të ndihen disa vite më pas. “Përshembull te muzika nga veriu i vendit deri në jug të hysh në çdo lloj restoranti do të dëgjosh muzikë që nuk është as rock, as tallava, por një përzierje që nuk mund ti vë emrin. Njerëzit kultivohen me këtë lloj muzike dhe kjo është fatkeqësi kombëtare, me pasoja në vitet që do të vijnë”, shprehet piktori Devolli.
Investimi i munguar
Por dhe për tenorin Rudi Sata mungesa e kritikës profesionale në fushën e artit është problem, pasi ajo evidenton vlerat në art. Ndër të tjera tenori Rudi Sata thotë se duhet të ketë investim për kritikën në fushën e artit. “Nuk e duan mendimin kritik tek ne. Por kritika në art është investim. Bota jashtë shtetit kritikën e artit e ka degë më vete. Tek ne nuk investojnë për të pasur kritikë në fushën e artit. Ka vite e vite që nuk ekziston një kritikë arti profesionale, janë bërë shumë servila, etj, por kritiku i artit duhet të jetë i pavarur”, thotë tenori Sata. Për mungesën e kritikës në fushën e artit janë shprehur më parë edhe studiues, të cilët kanë pohuar rëndësinë e saj. Po ashtu dhe të tjerë artistë në reagimet e tyre ndërsa kanë pohuar rëndësinë e saj, gjithashtu kanë theksuar se ajo duhet të bëhet nga profesionistë e studiues të fushës dhe jo nga kushdo.
Artistët: Kritika profesionale në art është investim, por sot mungon
