Dhoma Amerikane e Tregtisë i jep goditje qeverisë: Rishikoni ligjin për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet

Dhoma Amerikane e Tregtisë (AMCHAM) ka rikthyer dje goditjen ndaj qeverisë shqiptare, duke paralajmëruar se projektligji i ri për sigurimin detyrueshëm të banesave nga tërmetet rrezikon të krijojë padrejtësi dhe mungesë transparence. Sipas AMCHAM, ligji i propozuar nga Ministria e Financave “ngre shqetësime serioze mbi pavarësinë e Fondit të Tërmeteve dhe cenon proporcionalitetin për shtresat më të dobëta”. Organizata kërkon rregulla të qarta për konfliktin e interesit, auditime periodike dhe më shumë mekanizma mbrojtjeje për kategoritë e pambrojtura.
“Lidhja e sigurimit të detyrueshëm me aksesin në shërbime bazë mund të duket si stimul për respektimin e ligjit, por në realitet rrezikon të penalizojë familjet më të varfra”, thekson AMCHAM në deklaratën e saj. Një tjetër shqetësim i madh është roli i Ministrisë së Financave në emërimin dhe mbikëqyrjen e Fondit, gjë që sipas Dhoma Amerikane mund të kompromentojë autonominë e tij. Ligji aktual nuk parashikon mekanizma të qartë për transparencën e bordit apo për raportimin financiar dhe auditimet. AMCHAM thekson se problematikë mbetet edhe koordinimi mes sigurimit detyrueshëm dhe atij vullnetar, për të shmangur mbivendosje të pagesave apo konflikte për pretendimet e dëmeve.
Po ashtu, përfshirja e banesave sociale, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe objekteve në proces legalizimi e bën situatën më të ndërlikuar. “Ky projektligj duket se përsërit të njëjtat gabime si dy vite më parë, duke rrezikuar efektivitetin e fondit dhe besueshmërinë e qeverisë në trajtimin e katastrofave natyrore”, nënvizon AMCHAM. Në Shqipëri, tërmetet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme gjatë shekullit të fundit, ndërsa tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës mbetet ngjarja më e fundit me një vlerësim konkret të dëmeve. Sipas ekspertëve, një fond i mirë-menaxhuar dhe i pavarur mund të shërbejë si mburojë reale për qytetarët, ndërsa ligji aktual, sipas AMCHAM, lë hapësirë për keqmenaxhim dhe padrejtësi sociale.