Filmi “Burri i shtëpisë” u shfaq premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, në një sallë të mbushur me kritikë, artistë të kinemasë dhe publik të shumtë. Festivali shënon këtë vit edicionin e 31 të tij dhe krahas personaliteteve të botës së kinemasë, i pranishëm në shfaqjen e filmit ishte edhe skenaristi dhe regjisori Andamion Murataj, si dhe aktorët kryesore Drita Kaba Karaga e Alesia Ruçi, Adem Karaga e Klodian Hoxha e të tjerë bashkëpunëtorë të filmit. Ky film është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, që shprehet se filmi u mirëprit nga të pranishmit në festival.
“Mbrëmë në Teatrin Nacional të Sarajevës, ku u shfaqën edhe filmat e “Competition Program”, u shfaq premiera botërore e filmit “Burri i Shtëpisë”, në një sallë të mbushur me kritikë, artistë të kinemasë dhe publik të shumtë, të cilët, e mirëpriten filmin me duartrokitje të gjata”, thuhet nga QKK ndër të tjera. Filmit përqendrohet në historinë e Fran, një personazh kompleks, lindur si grua por që bën jetën e një burri apo e thënë ndryshe “burrneshë”. Për t’i dhënë dashurinë e nënës mbesës së saj, Fran duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë nëse do të vijojë të ruajë statusin si burrneshë apo të ulë autoritetin dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës. Edicioni i këtij viti i Festivalit të Filmit në Sarajevë, i 31-ti, mbahet prej datës 15 deri më 22 gusht. Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si evenimenti më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Këtë vit në festival 50 filma garojnë në kategori të ndryshme për çmimin “Zemra e Sarajevës”.
Filmi “Burri i shtëpisë” shfaqet premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
