Opozita në Shqipëri vijon të ndjekë të njëjtin skenar në ligjlrimin dhe denoncimet e saj: për gjithçka që ndodh në vend, fajtor shpallet Edi Rama.
Nëse bien zjarre, akuzohet kryeministri se “i vuri flakën Shqipërisë”.
Nëse ndodhin përmbytje, akuzohet Rama se “mbyti vendin”.
Madje, edhe zhdukja për disa orë e ish–nëndrejtorit të AKSH-it u paraqit si zhdukje prej tij. Akuzat shkuan deri aty sa të përfshinin edhe familjen e Ramës si të përfshirë në ngjarje.
Por një ditë më pas, kur ngjarja u sqarua, askush nuk merr guximin të kërkojë ndjesë. Akuza të tilla mbeten thjesht si dëshmi e mungesës së vizionit dhe argumenteve të opozitës.
E njëjta histori përsëritet pas zgjedhjeve. Kur humbën më 11 maj, përballë fakteve të qarta, opozita sërish shpalli se “Rama i vodhi votat”. Harrojnë se procesi monitorohej nga komisionerët e tyre dhe nuk ka asnjë pranim të përgjegjësisë.
Kjo sjellje e kësaj opozite i shkon për shtat kryeministrit.
Rama ka përgjegjësitë e tij në qeverisje, por mania për ta shpallur fajtor për gjithçka përkthehet në më shumë mbështetje elektorale për të. Ashtu siç është dëshmuar deri më sot.
Ndaj, ose opozita duhet të ndryshojë qasje dhe të godasë me argumente, ose do të mbetet një opozitë e tillë: ashtu siç e do Edi Rama./TemA
Një opozitë siç e do Edi Rama
