Izraeli nis ofensivën në Gaza, Guterres bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm

Ushtria izraelite ka nisur mëngjesin e sotëm (21 gusht) fazat e para të një ofensive në Gaza, duke detyruar palestinezët të largohen nga qyteti.
Ofensiva izraelite u paralajmërua një ditë më parë dhe pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve e përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyah vijon planin për pushtimin e të gjithë qytetit të Gazës.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza
“Është jetike të arrihet menjëherë një armëpushim në Gaza, për të shmangur vdekjet dhe shkatërrimin që do të shkaktonte një operacion ushtarak kundër Qytetit të Gazës”, tha Guterres në Japoni, ku po merr pjesë në një konferencë mbi zhvillimin afrikan.
Guterres bën thirrje për lirimin pa kushte të pengjeve të mbajtura nga Hamasi, ndërsa i kërkon Izraelit të anulojë vendimin për zgjerimin e ndërtimit të vendbanimeve “të paligjshme” në Bregun Perëndimor.
Marrja nën kontroll dhe pushtimi i qytetit më të madh në Gazën veriore, të cilin kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu , e quajti një nga fortesat e fundit të Hamasit, do të kërkojë që ushtria të sjellë 60,000 trupa rezervë të tjera dhe të zgjasë shërbimin e 20,000 të tjerëve.
Një grup prej 17 senatorësh amerikanë i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion mbi Izraelin që t’u japë akses dhe mbrojtje gazetarëve në Gaza.
“Shtetet e Bashkuara duhet t’ia bëjnë të qartë Izraelit se ndalimi dhe censurimi i organizatave mediatike dhe shënjestrimi ose kërcënimi i anëtarëve të shtypit është i papranueshëm dhe duhet të ndalet”, thanë senatorët demokratë në një deklaratë.