Ish-godina e maternitetit të Sarandës, në kuadër edhe të rijetësimit të aseteve publike, po shndërrohet në një qendër shumëfunksionëshe për të rinjtë, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli, panë nga afër zbatimin e këtij projekti, ku godina e ndërtuar që në vitin 1930 dhe e braktisur prej vitesh, do të shërbejë si një qendër edukimi praktik, muze si dhe hapësirë sociale dhe kulturore. Koçiu tha se synimi është të krijohet një model i qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal, turizmin dhe përfshirjen e të rinjve në jetën aktive të qytetit.
“Kjo është një super godinë e bukur në një nga lokacionet më atraktive të qytetit të Sarandës që shërbimin shëndetësor që ofrohej për nënat dhe foshnjat e tyre, e kemi transferuar në një godinë tërësisht të re në ambientet e spitalit të Sarandës, duke ia lënë qytetit këtë godinë tashmë të administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili po e transformon dhe do ta kthejë në funksion jo vetëm të të rinjve dhe fëmijëve, por edhe të kujtdo tjetër që vjen për të marrë shërbim social dhe edukativ”, tha Koçiu, duke shtuar se ky investim e kthen edhe në një zonë muzeale me të gjitha atraksionet që ka Saranda. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se në këtë hapësirë do mund të zhvillohen kurse për të rinjtë për t’u aftësuar me njohuri të cilat mund t’i venë në praktikë. Nëpërmjet këtij investimi synohet që të rinjtë e Sarandës të mund të praktikohen duke përfituar përvojë në shërbime të ndryshme të domosdoshme për qytetin turistik. Gjithashtu, projekti i FSHZH-së e kthen godinën e stilit italian edhe në një atraksion të ri për Sarandën ku do të ruhet jo vetëm pjesa e muzeut, e vjetra, por do të shërbejë si një zonë shërbimesh me përdorim shumë të gjerë për të tërhequr turistët e huaj.
Koçiu: Ish-godina e maternitetit të Sarandës, nga hapësirë e braktisur në qendër shumëfunksionëshe
